Më 20 mars 2023, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës vizitoi Moskën, duke i dhënë një mbështetje të patjetërsueshme Presidentit të Rusisë. Po, pse shkoi zoti Xi Jinping në Moskë? Llogaria e tij ndaj Rusisë nuk mbështetet në ndjenja, miqësi apo ideale. Ajo bazohet në kalkulimet strategjike të Kinës, që kanë të ngjarë të mbeten fikse.

Kjo strategji ka si element të domosdoshëm marrëdhënien e ngushtë me Rusinë. Mundësisht, Rusia të jetë e lidhur me të, pa ndonjë alternativë tjetër, veçse të ndërtojë tubacione për të çuar gaz në Kinë, ta furnizojë Kinën me uranium, të ndajë me të teknologjinë ushtarake, hapësinore dhe të sigurimit që, në rivalitetin në rritje me Shtetet e Bashkuara, Kina të mos izolohet. Ideali i Xi është që të ketë Putinin si aleat, por që ai edhe të varet prej tij. Dhe lideri kinez po bën pikërisht këtë gjë.

Z. Xi u zotua për solidaritet të hekurt me Rusinë si një partner politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak: dy superfuqi të rreshtuara për të kundërshtuar dominimin amerikan dhe rendin botëror të udhëhequr nga perëndimi. Ai dëshmoi se marrëdhënia e tyre do të jetë e fortë, pavarësisht se Presidenti Putin është i dënuar dhe i sanksionuar nga Perëndimi, pavarësisht se Gjykata Penale Ndërkombëtare ka nxjerrë një urdhër-arresti për të, apo edhe pse Kina mund të mos dëshirojë të përfshihet në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kësisoj, Presidenti Xi do të qëndrojë pranë Putinit, pavarësisht, se shumë qytete ukrainase janë shkatërruar, pavarësisht se lufta e tij ka kryer krime të panumërta, pavarësisht nga rezultati i betejave të kësaj pranvere sepse mbajtja e Rusisë afër është në interesin kombëtar të Kinës. Prandaj, vendosën një kufi ndarës me Perëndimin jo vetëm për Ukrainën, por edhe për tregtinë dhe drejtpeshimin e pushteteve në Europë dhe në Azi. Ky Samit rrëzoi maskat dhe shfaqi para botës modelin dhe ambicien e tyre të përbashkët: të dobësojnë demokracitë perëndimore, të përçajnë europianët dhe të dëbojnë amerikanët nga Azia. Për të realizuar këtë qëllim, Kinës i duhet të forcojë lidhjet me Moskën.

PËRKUSHTIM

Të dy liderët deklamuan admirimin e tyre për sundimin autoritar të njëri-tjetrit. Zoti Xi shkoi aq përpara, të paktën publikisht, sa miratoi zotin Putin për një mandat tjetër, të pestë: “Jam i sigurt, tha ai, se rusët do t’ju mbështesin në të gjitha përpjekjet tuaja të mira”. Po kështu, ai e ftoi z. Putin “të vizitojë Kinën këtë vit”. Megjithatë, ky përkushtimi nuk duket se përfshin një mbështetjeje të pakufishme. Z. Xi dhe zyrtarë të tjerë kinezë kërkuan të përcaktojnë kufij më të qartë, duke deklaruar se nuk janë në një aleancë tradicionale politike dhe ushtarake. Ata u përpoqën t’i shmangen ringjalljes së retorikës të “miqësisë së pakufishme”, edhe pse z. Putin e përdori. Sidoqoftë, palët vunë në dukje se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës, edhe pse nuk përbëjnë një aleancë ushtarako-politike të ngjashme me ato të krijuara gjatë Luftës së Ftohtë, janë shumë më shumë se një bashkëpunim i zakonshëm ndërshtetëror.

DEKLARATA E PËRBASHKËT

Në fund të bisedimeve të dy liderët nënshkruan një deklaratë e cila shpall hyrjen e marrëdhënieve mes vendeve të tyre në një “epokë të re”. Kjo deklaratë është, kryesisht, antiperëndimore dhe duket si një plan strategjik për dekadën e ardhshme apo edhe për më tej. Ajo shpalos vizionin e tyre për botën dhe sulmon me forcë Perëndimin, duke akuzuar Amerikën si pengesë për një botë më të mirë dhe më të drejtë, për minimin e sigurisë ndërkombëtare për të ruajtur përparësinë e vet ushtarake.

Po kështu, teksti shpreh shqetësimin e tyre për praninë në rritje të NATO-s në Azi dhe thekson se ushtritë e tyre do të kryejnë rregullisht patrullime dhe stërvitje të përbashkëta me qëllim forcimin e besimit të ndërsjellë. Studiuesit vërejnë se nuk kemi të bëjmë me një reagim të beftë ndaj luftës në Ukrainë, por me një partneritetin strategjik të strukturuar dhe shumë të qartë, që parashikon, veçanërisht, koordinim më të ngushtë dypalësh. Më tej, Pekini dhe Moska shpalosën qëndrimet e tyre kundër disa nismave perëndimore, si: Aukus, plani i Japonisë për të lëshuar në oqean ujërat e ndotura të Centralit Bërthamor të Fukushimës dhe aktiviteteve ushtarake biologjike të ShBA, brenda dhe jashtë vendit.

Në deklaratë, thuhet, gjithashtu, se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore dhe kjo luftë nuk duhet të fillojë kurrë. Është e paqartë nëse ky përcaktim ishte një lëshim i Rusisë, pasi ajo e ka të përcaktuar qartë se kur mund të përdorë arsenalin e vet bërthamor.

Plani kinez për paqe mbështet Moskën

Ky dokument, i refuzuar menjëherë nga Kievi dhe Uashingtoni, bën thirrje për dialog dhe respekt për sovranitetin territorial të secilit vend, por nuk dënon pushtimin rus dhe nuk kërkon që Rusia të tërhiqet ushtarakisht nga Ukraina.

Përkundrazi, kërcënon vendet perëndimore, që mbështesin Ukrainën dhe thotë se çdo zgjidhje për krizën duhet të ‘parandalojë formimin e blloqeve konfrontuese, që i hedhin benzinë zjarrit’. Pra, z. Xi flet për paqe, por bën gjithçka për të mbështetur Putinin të bëjë përpara. “Bota nuk mund të mashtrohet nga një vendim taktik i Rusisë, e mbështetur nga Kina apo ndonjë vend tjetër, për të ngrirë konfliktin sipas kushteve të veta”, vëren Sekretari i Shtetit, Blinken. Për ShBA-të, shqetësimi më i madh do të kishte qenë nëse Kina do të pranonte të furnizonte me armë Rusinë. Uashingtoni ka akuzuar Pekinin për këtë projekt, të cilin autoritetet kineze e kanë mohuar. Por, sipas New York Times, Kina i ka dhënë Rusisë dronë. Asgjë nuk është bërë publike, por pyet ja që qarkullon është se çfarë ndihme ushtarake mund t’i japë Kina mikut të vet pa kufi rus, i cili është në një pozicion të keq në terren.

PARTNERITET EKONOMIK I QËNDRUESHËM

E goditur ekonomikisht dhe e izoluar në skenën botërore, Rusia po mbështetet shumë te Kina për të kompensuar biznesin e humbur në Perëndim. Samiti dëshmoi se Xi i ofroi Putin një kamerdare shpëtimi ekonomik, nga e cila do të përfitojë edhe Kina me rritjen e pranisë së vet në burimet dhe tregjet ruse. Presidentët deklaruan një partneritet ekonomik të qëndrueshëm.

Ata premtuan më shumë energji ruse në Kinë dhe më shumë kompani kineze në Rusi, por duke bërë kujdes të mbronin vendet e tyre, të paktën ekonomikisht, nga sanksionet perëndimore apo masat ndëshkuese nga ShBA dhe BE, si dhe nga pasojat e tjera të luftës në Ukrainë. Kompanitë ruse do të furnizojnë Kinën me, të paktën, 98 miliardë metra kub gaz rus dhe 100 milionë ton gaz të lëngshëm rus deri në vitin 2030. Plani i zhvillimit të prioriteteve është mjaft i paqartë, por Presidenti Putin njoftoi se kishin arritur një marrëveshje për nisjen e gazsjellësit Fuqia e Siberisë 2, 2600 km i gjatë, i cili do t’i ofrojë Kinës 50 miliardë metra kub gaz natyror rus në vit.

Ekspertë të fushës vërejnë se hidrokarburet ruse, që Kina i merr nën çmimet e tregut, mund t’i përdorë për të ushtruar trysni mbi furnizuesit e tjerë, si: Katari apo Australia. Sidoqoftë, Kina nuk dëshiron të jetë e varur vetëm nga Moska. Përpjekjet e veta për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Iranit tregojnë edhe interesin e vet për naftën dhe gazin nga Lindja e Mesme. Në zhvillimin e këtij partneriteti, Presidenti Putin u tregua i gatshëm të pranojë zgjerimin e pagesave në juan, përfshirë edhe vendet e treta nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Kjo perspektivë, që bën lojën e Kinës, promovon ndërkombëtarizimin e juanit dhe i përgjigjet dëshirës së përbashkët për ta ‘de-dollarizuar’ tregtinë ndërkombëtare. Të dy liderët i quajtën bisedimet “të sinqerta, miqësore, të pasura me rezultate” apo “të suksesshme”, po ende nuk është e qartë nëse lideri rus arriti gjithçka, që kishte kërkuar, kur as njëri dhe as tjetri nuk iu referuan ndihmës ushtarake.

REPUBLIKËS POPULLORE I INTERESON LUFTA

Kina dëshiron që Vladimir Putin ta fitojë luftën sepse Rusia do të ishte një kundërpeshë ndaj fuqisë amerikane dhe ndikimit perëndimor. Kina , vërejnë strategët, sheh me interes edhe një konflikt të zgjatur: Largon ShBA nga konkurrenca me të dhe mban në këmbë një Rusi autoritare, të fryrë nga pakënaqësia kundër Perëndimit, por e varur nga ndihma kineze. Ndikon në ekonominë dhe kapacitetet ushtarake perëndimore. Inflacioni dhe rënia e stoqeve të armëve pas dërgesave masive në terren e bëjnë kundërshtarin perëndimor më pak efikas kundër Kinës.

Nga ana tjetër, lufta në Ukrainë, për sa kohë që nuk rrëzon Rusinë, sjell shumë përfitime për kinezët. Pekini mund të marrë nga Moska njohuri dhe teknologji, që do të bënin të mundur përshpejtimin e modernizimit ushtarak të Kinës, e cila po përgatitet për aneksimin e Tajvanit. E parë nga Pekini, kjo luftë në zemër të Europës zvogëlon mundësinë e Amerikës të ndërhyjë, pasi do të ishte e vështirë për Uashingtonin dhe aleatët e tij të luftonin në dy fronte njëherësh.

Kina, gjithashtu, ka nevojë për dritën jeshile të Kremlinit për të nxitur interesat e veta në Euroazi dhe Arktik. Një disfatë ushtarake ruse nuk do të ishte një skenar i mirë për Kinën, por nuk do të ishte as shumë serioz. Prandaj, ekspertët e kanë të vështirë t’i japin përgjigje pozitive pyetjes, që shqetëson aleatët, nëse Kina është e gatshme të paguajë çmimin e rëndë po të vendosë të furnizojë Rusinë me armë për të shmangur disfatën e saj në Ukrainë. Ata nuk e besojnë sepse do të dëmtonte imazhin e Kinës në vendet në zhvillim, do të treste besimin e një fuqie stabilizuese, që Kina po përpiqet të portretizojë dhe do të bëhej pre e sanksioneve perëndimore.

Megjithatë, kjo luftë nuk është pa probleme për qëllimet kineze. Pushtimi i Ukrainës ka forcuar NATO-n dhe lidhjet transatlantike, si dhe ka nxitur Europën të riarmatoset. Udhëheqja e Partisë Komuniste po ndjek nga afër evolucionin e konfliktit për të nxjerrë mësimet e nevojshme për ambiciet e veta tajvaneze. Nga ana tjetër, inflacioni global, ngadalësimi i tregtisë që prej 24 shkurtit 2022 janë në kundërshtim me interesat ekonomike të Kinës, që, pas tre vitesh izolim për shkak të pandemisë, llogarit, më shumë se kurrë, tregtinë me perëndimin dhe investimet për të ringjallur ekonominë e saj të sëmurë.

REND I RI KINEZ

Një objektiv tjetër i regjimit komunist është vendosja e një rendi të ri botëror, në të cilin Kina do të luante një rol të madh, madje edhe kryesorin. Rruga e mëndafshit, investimet masive në Azi, Afrikë, Amerikën Latine, nuk kanë qëllim tjetër. Duke pretenduar se është gjykatës i paqes, Pekini dëshiron të demonstrojë aftësinë e tij për të lehtësuar tensionet në botë, për të marrë më pas udhëheqjen. Këtë rol Republika Popullore tashmë e luan pjesërisht.

Rendi kinez në shkallë globale do të sillte zhgënjim për shumë vende. Një regjim, që shtyp popullin e vet është një rrezik për popujt e tjerë. Hong Kongu, i cili tani jeton nën çizmen e Pekinit, ku ka eliminuar të gjitha format e opozitës, është shembulli i fundit. Prandaj, partneriteti kino-rus duhet të dështojë. Ai është një ogur shumë i keq sepse ngërthen një konkurrencë të dhunshme midis blloqeve për ndikim global dhe tenton të përballojë tri fuqitë kryesore bërthamore: Shtetet e Bashkuara, nga njëra anë, me Kinën dhe Rusinë, në anën tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: