Shtetet e Bashkuara të mërkurën vendosën sanksione ndaj Ministrit të Jashtëm të Iranit,  Mohammad Javad Zarif, u shpreh zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA në faqen e saj të internetit.

Departamenti i Thesarit tha se po vendos sanksione ndaj Zarifit pasi ai vepron në emër të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei shkruan Reuters. “Javad Zarif zbaton axhendën e pamatur të Liderit Suprem të Iranit dhe është zëdhënësi kryesor i regjimit në të gjithë botën,” tha Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin në një deklaratë.

Tensionet janë rritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas tërheqjes së Presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar nga një marrëveshje bërthamore ndërkombëtare e 2015 me Teheranin.

Frika e një konflikti të drejtpërdrejtë amerikanë-iranian është rritur që nga maji me disa sulme ndaj çisternave të naftës, rrëzimin e një droni amerikan nga ana e Iranit dhe tërheqja që bëri Trump në minutat e fundit për sulmet ajrore  në Iran muajin e kaluar.

(n.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb