Nga: FATMIRA NIKOLLI* TIRANE – Fillesat e vizatimit shqiptar në fundvitet e sundimit osman dhe jeta prej një shekulli e tij është prezantuar mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita “100 vjet vizatim shqiptar” ka mbledhur së bashku 46 artistë dhe 152 vepra me tematika dhe stile të ndryshme. “Një ekspozitë e përmasave të tilla vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pasi asnjëherë nuk i është dhënë një hapësirë ekspozimi kësaj gjinie të artit. Janë vizatime ku vihen re fryma njerëzore, peizazhi, por edhe atmosfera e kohës kur u krijuan, që nga fundi i shekullit të 19-të e deri në vitet ’90”, – tha Artan Shabani, drejtor i GKA-së (dhe një prej kuratorëve të ekspozitës), i cili, duke e konsideruar këtë një ekspozitë historike, theksoi se vizatimi si punë e parë e shumë artistëve është lënë pas dore, ndonëse kjo gjini ka rëndësi të veçantë në koleksionet e institucioneve të artit pamor në botë. “Vizatimi ka rëndësi të veçantë, megjithatë, mund të them se ai është lënë pas dore, është diskriminuar nga vetë artistët, që e kanë parë atë si fazë të parë të punës së tyre. Mendoj se ai kërkon përqendrim dhe sy inteligjentë. Do të thosha se vizatimi është elegant, sqimatar dhe dokumentues”, – vërejti Shabani.
Mandej, si për t’i vënë vulën vlerës së këtij zhanri, ai solli shembullin e një vizatimi të italianit Rafaelo, që u shit 36 milionë euro pak ditë më parë. Duke shënuar se në Shqipëri nuk kishte shkollë vizatimi deri vonë, drejtori i GKA-së, u shpreh se artistët lanë në veprat e tyre shenjat e shkollave të huaja ku studiuan. Por, kjo ekspozitë, nuk i thotë të gjitha për vizatimin, dhe veprat e dala prej fondeve të pluhurosura, nuk do kthehen të gjitha në ‘magazina’. Shumë syresh të restauruara, tashmë me një tjetër pamje, sa i takon gjendjes së tyre fizike, disa prej këtyre ‘lapsave të parë’ do marrin tjetër funksion. “Punët që prezantohen në këtë ekspozitë nuk do të kthehen dhe të mbyllen në fond. Pasi ekspozita të mbyllet, në datën 5 janar, një pjesë e këtyre vizatimeve do të bëhen pjesë e linjës së re muzeale që do të ngrihet në GKA”, – tha Shabani, duke u shprehur se linja aktuale muzeale e institucionit, do të rikonceptohet. Rikonceptimi i linjës, në fakt, u diskutua edhe disa muaj më parë, megjithatë, duket se në këtë pikë, Shabani ka vendosur seriozisht t’i japë një tjetër pamje prezantuese GKA-së. Ai sqaroi se rikonceptimi i linjës nuk do të thotë heqje e punëve që janë dhe vënie e punëve të tjera. “Vizatimi nuk është pjesë e linjës së GKA-së, ndaj disa prej këtyre punëve do jenë pjesë e linjës së re. Për mua, rikonceptim nuk do të thotë heqje e disa veprave dhe vënie e disa të tjerave. Disa prej atyre që janë do ngelen, ndërsa do të shtohen vizatime, video-arte, instalacione dhe skulptura”. Mandej, Shabani nuk la jashtë vëmendjes as skulpturën, kur tha se ky zhanër vuan nga klientelizmi (punë me porosi), duke shtuar se vitin e ardhshëm GKA çel ekspozitë për të.
Ndërkaq, kuratorja tjetër, Zana Varvarica-Kuka, në fjalën e saj sqaroi se në fondin e madh të GKA-së ruhen rreth 300 punime në vizatim, të cilat janë të realizuara në teknika të ndryshme, si: laps, karbon flamastër, bojë kine, apo tush e penë mbi letër. Veprat janë të realizuara nga rreth 74 artistë, autorë të fondit të veprave të GKA-së. “Bashkë me kolegët kemi kontrolluar të gjitha dosjet e artistëve që kemi këtu në fonde. Jemi munduar të zgjedhim ata artistë që janë evidentuar më tepër me vizatimin, që në një farë mënyre e kanë parë me më shumë dashuri këtë gjini. Përveç emrave të mëdhenj, si: Kolë Idromeno, Ibrahim Kodra, Sali Shijaku apo Abdurrahim e Kujtim Buza, u përpoqëm të përfshijmë në ekspozitë edhe emra të rinj, apo artistë të heshtur, pothuajse të panjohur për publikun”, – tha Kuka.
Duke i parë si shumë të rëndësishëm, ajo përmendi Dhimitër Theodhorin (piktor filmi), tri vepra të të cilit i janë shtuar fondit të GKA-së si dhuratë nga drejtori Artan Shabani, apo edhe emra të tjerë, si Hasan Koka, Ibrahim Shehu, Jakup Keraj, Sami Roçi, Kujtim Koprencka, Fotinka Serjani, Zanfira Heta, apo Merita Selimi, të cilën Kuka e veçoi për abstrakten që përcjell. Mandej ajo foli edhe për një vepër pothuaj të panjohur të Kolë Idromenos. “Mendojmë që i takon fundit të 1800-ës. Është një temë laike që prapëseprapë lidhet me fenë, duke qenë se tregon çfarë i ndodh njeriut kur bën mëkat”, – tha Zana. Vizatimi i Idromenos, teksa të sjell ndër mend diku-diku ferrin, sheh në të edhe figura që u ngjajnë malësorëve shqiptarë, duke vërejtur kështu elementin shqiptar në punën artistike. “Në ekspozitë ka punë të Abdurrahim Buzës, që tregon ndërtimet e viteve 1950-1960, ka tema baritore, ka bocete, që më vonë u bënë piktura të piktorëve si Sali Shijaku apo Niko Progri, ka autoportrete, ka portrete etj.” – tha Kuka.
Kuratorja shtoi se “kjo ekspozitë shtrihet në një shekull dhe ndahet në dhjetëvjeçarë, por edhe stilet, shkollat, atmosfera apo temat identifikohen në mënyrë figurative dhe të veçantë tek secili artist”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 janar 2015.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb