TIRANË – “Reagim të dëshpëruar, xhelozi të pakuptimtë profesionale” e ka konsideruar reagimin e këngëtares Anjeza Shahini, ndaj këngëtares së re Elhaida Dani, Drejtori i Përgjithshëm RTSH-së, Martin Leka, lidhur me pjesëmarrjen e kësaj të fundit në “Eurosong”.

teksti

Shahini deklaroi se “unë dua të jetë në ESC ai që e meritonte e që e ka merituar prej kohësh, Bojken Lako. Me gjithë respektin për artisten Elhaida, nuk më duket e drejtë kjo kapriço, aspak profesionale e kujtdo për t’u tërhequr.”

Por, Leka është shprehur se “ky është një reagim i dëshpëruar, xhelozi e pakuptimtë profesionale! I ftoj të vijnë të lexojnë rregulloren e gjithçka tjetër lidhur me procedurat e Festivalit!
Bojken Lako, fituesi i vendit të dytë, e ka dhënë versionin e tij prej artisti, intelektuali e njeriu” duke shtuar se “i ftoj ta lexojnë tek Gazeta Shqiptare”.

Qëndrimi i kreut të RTSH-së sot erdhi pas diskutimeve që ka hapur në media, pjesëmarrja e Danit në “Eurosong” me një këngë të ndryshme nga ajo që fitoi Festivalin e 53-të të Këngës në RTSH, për shkak të tërheqjes së kompozitorit Aldo Shllaku.

Leka, i pyetur nga “Gazeta Shqiptare” pak ditë më parë se pse në Eurosong po dërgohet sërish Dani, tashmë me një këngë të re (melodi dhe tekst), kur mund të ishte dërguar kënga që në Festivalin e RTSH fitoi vendin e dytë (ajo e Bojken Lakos), sqaroi: “Rregullorja e Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH ka vetëm një hapësirë, një nen që thotë, se kënga fituese e festivalit është kënga pjesëmarrëse në Festivalin Europian të Këngës. Nuk ka asnjë alternativë të dytë. Është spekulim i madh të thuhet që ekziston mundësia, në fakt nuk është e vërtetë, pasi nuk na e lejon rregullorja”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb