Dy ditë pas publikimit të himnit të Kampionatit Botëror të këtoj viti, reagimet nuk zbuten dhe duket se fansat nuk janë të kënaqur dhe kanë bërë thirrje për “ndihmë” nga Shakira, këngët e të cilës shënuan edicionet e mëparshme të turneve të mëdha. Shumë adhuruesve të futbollit duket se nuk u bën përshtypje kënga e interpretuar nga Nicki Minaj, Maluma dhe Myriam Fares, e titulluar “Tukoh Taka” që është himni kryesor i turneut të futbollit, ‘Katar 2022’. Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, pavarësisht tonit gazmor të këngës dhe kombinimit të teksteve në spanjisht, anglisht dhe arabisht.

Në TikTok, hashtagu ‘TukohTaka’ është i mbushur me video të përdoruesve të pakënaqur që ndajnë mendimet e tyre.

Shumë prej tyre po e thërrasin Shakiran të kthehet, duke pasur parasysh se këngët e saj kanë shënuar edicionet e mëparshme të kampionateve botërore. Kënga e saj “Waka Waka” ishte himni i kampionatit në Afrikën e Jugut, ndërsa këngëtarja performoi edhe në Gjermani në vitin 2006 dhe në Brazil në vitin 2014.

“Shakira ne do të fillojmë një fushatë GoFundMe për gjyqin tënd të evazionit fiskal, thjesht mos lejoni që ky version Walmart i Tokyo Drift të jetë kënga e Kupës së Botës” – shprehet një fans në një video virale të TikTok.

“Lindja e Mesme kishte 10 vjet kohë për të bërë një këngë të mrekullueshme për Kampionatin Botëror dhe ky është rezultati” – ka shkruar një tjetër përdorues i pakënaqur.

“Shakira më mirë të kthehet në Kampionatin Botëror, sepse ne nuk mund ta dëgjojmë këtë”; “Kërkoj falje në emër të Lindjes së Mesme”; “Kënga tingëllon si kur tezja ime këndon në dasmë” – deklaruan shumë fansa tjerë të pakënaqur.

Megjithatë, përkundër kritikave, kënga ka kaluar shifrën prej dhjetë milionë shikimesh në YouTube.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb