Kandidati për president te FSHF, Dritan Shakohoxha i ka dërguar një letër Armand Dukës dhe Ilir Shulkut për shtyrjen e asamblesë së 2 marsit! Në letrën që disponon Panorama Sport, Shakohoxha thekson se ka disa vendime gjykate që e bëjnë të pamundur zhvillimin e asamblesë më 2 mars, pasi shkelet ligji!

Ja letra e plotë:

Të nderuar anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Verifikimit të Federatës Shqiptare të Futbollit,

I nderuar President i Federatës Shqiptare të Futbollit,

I nderuar zt. Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit,

Duke Ju falenderuar paraprakisht për njoftimin e datës 21.02.2022, ku më vini në dijeni të faktit që jam regjistruar si kandidat zyrtar për President të Federatës Shqiptare të Futbollit; në vlerësim të rëndësisë që paraqet zbatimi korrekt i disa prej vendimeve më të fundit gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që lidhen drejtpërsëdrejti me zhvillimin nga FSHF të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 02.03.2022 apo dhe pas kësaj date; në cilësinë e kandidatit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në respektim të qëllimit tonë të përbashkët të zhvillimit të një procesi zgjedhor të ligjshëm dhe statutor; kërkoj nga ana Juaj, që në respektim të përcaktimeve të bëra në këto vendime gjyqësore, të merrni masat e nevojshme për shtyrjen e mbledhjes së datës 02.03.2022 të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit deri në marrjen nga Gjykata të një vendimi të formës së prerë dhe njoftimin zyrtar nga ana Juaj në lidhje me këtë shtyrje, drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kandidatëve të regjistruar aktualisht për pozicione të ndryshme brenda Federatës Shqiptare të Futbollit.

Siç edhe jeni në dijeni, së fundmi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka marrë disa vendime të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me zhvillimin nga FSHF të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 02.03.2022, ndër të cilat, dy vendime gjyqësore kanë të bëjnë me pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së dhe efekteve juridike të Vendimit të datës 21.02.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së (sipas objektit), ndërsa një vendim gjyqësor ka të bëjë me regjistrimin e z. Eduart Prodani si Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë dhe shfuqizimin e çdo vendimmarrje paraprake të disa prej anëtarëve të kësaj shoqate për zgjedhjen si Kryetar të z. Krenar Alimehmeti, zgjedhjen e pesë delegatëve të tjerë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së dhe miratimin e ndryshimeve të reja statutore të shoqatës.

Ndërkohë që përmbajtja e këtyre vendimeve gjyqësore është bërë publike në media, së fundmi, unë si kandidat për President i Federatës Shqiptare të Futbollit, jam njoftuar zyrtarisht nga Zyra e Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me Urdhërin për zbatimin e Vendimit nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për marrjen e masës së sigurimit të padisë, përmes të cilit Përmbaruesi Gjyqësor urdhëron: (1) pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10/01/2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë; (2) pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 02.01.2022, të Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë; (3) pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë; duke paralajmëruar shprehimisht që çdo person i cili do të bëhet pengesë për zbatimin e këtij Urdhëri përmbarimi, do të përgjigjet personalisht sipas përcaktimeve të bëra në nenin 606 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenin 320 të Kodit Penal.

Sa më sipër, nisur nga fakti që: (1) Vendimi nr. 1, datë 10.01.2022, i Komisionit të Verifikimit të FSHF-së dhe Vendimi i datës 21.01.2022, i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, janë dy vendime në bazë të të cilave është bazuar e gjithë vendimmarrja më e fundit e disa prej Shoqatave Rajonale të Futbollit (përjashtuar SHRF Tiranë) për caktimin nga ana e tyre të delegatëve në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022; (2) efektet juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.01.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së dhe Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ende nuk janë shteruar dhe nuk mund të konsiderohen si të ezauruara; dhe (3) Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së nuk mund të zhvillohet në mungesë të veprimtarisë së ligjshme të Komisionit të Verifikimit, i cili sipas Statutit të FSHF-së, është i vetmi organ përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe verifikimin e legjitimitetit të delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së; kërkoj nga ana Juaj, që në respektim të: (1) Vendimit nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe (2) Urdhërit të Zyrës së Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me këtë vendim gjyqësor; të merrni masat e nevojshme (sipas kompetencave respektive statutore) për shtyrjen e mbledhjes së datës 02.03.2022 të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit deri në marrjen nga Gjykata të një vendimi të formës së prerë dhe njoftimin zyrtar nga ana Juaj në lidhje me këtë shtyrje, drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kandidatëve të regjistruar aktualisht për pozicione të ndryshme brenda Federatës Shqiptare të Futbollit.

Tashmë, në zbatim korrekt, të përcaktimeve të bëra në Vendimin nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Urdhërin e Zyrës së Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me këtë vendim gjyqësor; konsiderohet si pengim i ekzekutimit të një vendimi gjyqësor (sipas përcaktimeve të bëra në nenin 320 të Kodit Penal) jo vetëm kryerja nga çdo funksionar apo anëtar (i drejtpërdrejt apo i tërthortë) i FSHF-së apo dhe nga çdo person tjetër, i veprimeve apo mosveprimeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta në drejtim të realizimit të një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së përpara marrjes nga Gjykata të një vendimi të formës së prerë, por edhe thjesht pjesëmarrja jonë si kandidat në një mbledhje të tillë të Asamblesë së Përgjithshme.

Në këtë aspekt, theksoj që çdo mbledhje apo vendimmarrje e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së dhe organeve të tjera të FSHF-së e cila bie ndesh me zbatimin korrekt të Vendimit nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Urdhërit të Zyrës së Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me këtë vendim gjyqësor, prek drejtpërsëdrejti interesat e mia si kandidat për pjesëmarrjen, kandidimin dhe zgjedhjen, në një proces zgjedhor, të ligjshëm, statutor dhe të pakontestueshëm jo vetëm gjyqësisht por madje as nga opinioni publik.

Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj,

Dritan SHAKOHOXHA

Kandidat për President

i Federatës Shqiptare të Futbollit

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: