TIRANË- Deputeti socialist, kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese Eduard Shalsi deklaroi sot se projektligji i depozituar në parlament për importin e mbetjeve iu vjen në ndihmë bizneseve të riciklimit, të cilat janë në prag falimentimi pasi nuk mjaftohen me lëndët vendase. Shalsi theksoi se nuk mund të ketë një vend të pastër pa një industri të zhvilluar të riciklimit.

“Është në fazën e propozimit të një projektligji që tashmë ka marrë formë dhe pritet të diskutohet në komision. Nuk mund të ketë një vend të zhvilluar, një vend të pastër pa një industri të riciklimit, të zhvilluar, të qëndrueshme. Disa vite më parë qeveria mori masën për moratoriumin e mbetjeve. Shpresonim që industria e riciklimit të përdorte lëndë vendase. Lënda ishte e pamjaftueshme për t’i mbajtur këto industri në gjendje pune. Pas konsultimeve edhe me ambientalistë, vendosa që edhe me 12 kolegë të tjerë t’i propozojmë parlamentit heqjen nga lista e importit, materie prime sekondare në italisht, lëndë e parë dytësore në shqip”, deklaroi Shalsi.

Ai sqaroi se ky draft do të hajë një kohë 2-vjeçare deri sa të shkojë në parlament.
“Pr.ligji që propozojmë do ketë një kohë 2-vjeçare. Ideja është që këto biznese riciklimi të mos shkojnë drejt atrofizimit por drejt fuqizimit. Politikat nuk i kanë mbështetur dhe për të shmangur falimentimin, të importohen lëndët sekondare”, tha ai.

Ku ndryshon ky ligj nga ai i kundërshtuar më parë nga qytetarët?
Ka disa inatit më të forta, më të fuqishme, ka një doganë më të kontrolluar ndaj mënyra e hyrjes, e kontrollit, monitorimit është më e fortë se më parë.

Në vitin 2013 një nga vendimet e para ishte anulimi i ligjit Berisha për mbetjet urbane…
Pavarësisht se i përkas maxhorancës, unë jam parlamentar dhe drejtoj një komision. Pavarësisht qëllimeve të përbashkëta, rolet janë të ndryshme. Gjatë dëgjimit me grupet e interesit, me ambientalistë kemi arritur disa konkluzione. Kjo nuk pengon parlamentarët të depozitojnë iniciativa sipas bindjeve. Shqipëria me ndarjen territoriale ofron mundësi për vendorët të ndarjes së mbetjeve. Do presim qeverinë të shprehet në lidhje me një pr.vendim të tillë ashtu siç do presim edhe grupet e interesit dhe ambientalistët.

Pse ndryshoi qëndrimi i deputetëve të shumicës?
Tre deputetë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë firmosur një propozim ligjor për të mundësuar importin e mbetjeve në Shqipëri. Ndonëse një hap i tillë, siç pranojnë edhe deputetët Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni, “nuk ka qenë i parashikuar në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit”, tashmë projektligji ndodhet në nisje të procedurave parlamentare, shkruan Shekulli.

Sipas deputetëve, akti i propozuar “rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend”. “Ai i rikthen të drejtat që ka patur Këshilli i Ministrave, si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve”, thuhet në propozim. Gjithashtu, ai përcakton autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve, si dhe autoritetin që e lëshon këtë akt. “Si pasojë e këtij parashikimi, bëhen edhe ndryshimet përkatëse në pjesën takuese të kundërvajtjeve administrative, me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt”, shprehen propozuesit. Sipas tyre, akti i propozuar parashikon daljen e një vendimi të Këshillit të Ministrave, e ashtuquajtura “lista e gjelbër”, ose siç mund te thuhet ndryshe lista e mbetjeve që mund të importohen në Republikën e Shqipërisë, pasi akti që ka qenë në fuqi për këtë qëllim është shfuqizuar me Ligjin nr. 156/2013.

Nisma e tre deputetëve është justifikuar me mbështetjen për industrinë e riciklimit në vend. “Ndryshimet ligjore do të hapnin mundësi të mëdha ekonomike në sektorin e riciklimit, shoqëruar me krijimin e dhjetëra mijë vende të reja pune, rritje të rëndësishme të GDP-së dhe dyfishimin e eksporteve, referuar nga Shoqata e Ricikluesve”, thonë deputetët, por pa dhënë asnjë detaj konkret mbi efektet ekonomike të propozimit të tyre. Investimet në industrinë e riciklimit, sipas deputetëve, janë rreth 120 milionë euro, me rreth 35.000 të punësuar, raporton Shekulli.

Propozimi i një nisme ligjore për lejimin e importit të mbetjeve përbën një ndryshon thelbësor në qasjen e qeverisë dhe shumicës parlamentare ndaj këtij problemi. Ndalimi i importit të mbetjeve ishte një ndër vendimet e para të qeverisë “Rama” në shtator 2013. Siç shkruajnë edhe deputetët propozues në relacionin e tyre, nevoja për të mbështetur industrinë e riciklimit të mbetjeve ka ndryshuar edhe qëndrimin e tyre.

pr Deputetet per mbetjet

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: