Nga: KLODIANA LALA*

TIRANE – Bashkëshortët Elinela dhe Niko (Ardian) Smaqi do të përgjigjen para drejtësisë, për “kurthin” që i ngritën një biznesmeni, të cilit përmes kërcënimeve e shantazheve, i zhvatën plot 8.7 milionë lekë të reja. Prokurori Anton Martini përfundoi hetimet dhe i dorëzoi Gjykatës së Krimeve të Rënda dosjen penale ndaj dy të pandehurve bashkëshortë, të cilët janarin e 2015 do të ulen në kafazin e hekurt. Nga hetimet rezulton se burrë e grua “pikasën” biznesmenin dhe thurën një plan për ta futur në kurth. Gruaja me dijeninë e bashkëshortit të saj, i cili ndodhej i dënuar për grabitje me armë, iu ofrua biznesmenit B.SH dhe krijoi me të një lidhje intime. Edhe pse Niko (Ardian) Smaqi e kishte kurdisur vetë të gjithë historinë, e ka kërcënuar me vdekje B.SH, duke i kërkuar miliona, në të kundërt lidhjen intime me gruan e tij, do ia rrëfente familjes së biznesmenit. I gjendur nën presion ai ka pranuar të paguajë, por presionet nuk kanë reshtur, sa ai është detyruar të shkojë në prokurori e të denoncojë dy bashkëshortët.
KURTHI PËR BIZNESMENIN
Në dosjen e prokurorisë hidhet dritë mbi mënyrën sesi kanë vepruar dy bashkëshortët, të cilët kanë përfituar miliona. Kështu gjatë vitit 2010 i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Elinela Smaqi janë njohur me të dëmtuarin B.SH, me banim në Tiranë. Pas dy– tre takimeve, në bazë të një plani kriminal të parapërgatitur midis dy të pandehurve, e pandehura Elinela Smaqi ka joshur seksualisht të dëmtuarin dhe falë hapësirave të krijuara me dashje nga i pandehuri tjetër Niko, ata (i dëmtuari B. dhe shtetësja nën hetim Elinela Smaqi), janë takuar me njëritjetrin në një motel në zonën e Laprakës këtu në Tiranë. Më pas, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi ka kërcënuar me vdekje të dëmtuarin me argumentin se ishte shoqëruar me bashkëshorten e tij duke e turpëruar atë, etj. Në vijim, i pandehuri Niko e ka kërcënuar të dëmtuarin se raportin intim me të pandehurën Elinela do t‘ja tregonte nuses dhe fëmijëve të tij. Pasi i dëmtuari është ndjerë i kërcënuar si për jetën e tij dhe harmoninë në familje, në këto rrethana i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi i ka kërkuar para si shpagim për veprimin e kryer me kusht që ta linte të qetë atë dhe familjen e tij. I dëmtuari edhe pse e ka kuptuar se ishte viktimë e një kombinacioni midis dy të pandehurve, me qëllim që të shmangte kërcënimet për jetën dhe shantazhet ndaj tij në raport me familjen, ka filluar t‘i japë gjatë periudhës 2010-2012 sasi të konsiderueshme parash sipas kërkesave të të pandehurit Ardian (Niko) Smaqi dhe në disa raste edhe të bashkëshortes së tij, të pandehurës Elinela Smaqi. Sasia e parave që ju ka dhënë të pandehurve sipas deklarimeve të të dëmtuarit për këtë periudhë kap shifrën prej 87 milionë lekësh të vjetra. Këtë sasi parash i dëmtuari e ka siguruar nga kursimet e punës së tij, familjes dhe nga borxhet e marra tek shtetas të ndryshëm. Nga viti 2012 deri në muajin maj të vitit 2014, i dëmtuari shprehet se nuk ka pasur më kontakte me të pandehurin Niko (Ardian) Smaqi apo me gruan e tij të prezantuar si “Eleni” si dhe nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së tyre. RIDALJA NË SKENË Nga fundi i muajit Maj të këtij viti, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi takon të dëmtuarin dhe i kërkon t‘i marrë sërish nëpërmjet kërcënimit dhe shantazhit edhe një sasi tjetër prej 17 milionë lekësh të vjetra. Këtë sasi parash, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi ja ka kërkuar të ndara në dy këste, ku njërin këst prej 2 milionë lekë të vjetra duhet t‘ja dërgonte më datë 05.06.2014 tek shtëpia e një shtetaseje me emrin “Marie” me vendndodhje në rrugën ‘Don Bosko” Tiranë të prezantuar si vjehrrën e tij, ndërsa këstin e dytë në vlerë prej 15 milionë lekë të vjetra deri në datë 15 shtator të vitit 2014. Nga verifikimet e kryera rezultoi se i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi që nga viti 2012 ishte i arrestuar dhe gjendej duke vuajtur një dënim penal pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Vaqarr” Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”, por ndodhej në liri, sepse kishte përfituar leje shpërblyese. Gjatë kësaj kohe, Smaqi e ka kërcënuar sërish të dëmtuarin për t‘i marrë një tjetër sasi parash, por meqenëse ai do të kthehej në burg ka kërkuar nga i dëmtuari që paratë t‘ja dërgojë tek vjehrra dhe vjehrri i tij me shtëpi private në rrugën “Don Bosko” Tiranë. Po ashtu, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi nuk i ka treguar se gjendej i burgosur, pasi duhej ta mbante nën trysni e presion të dëmtuarin për t‘i marrë paratë duke përdorur të njëjtin arsyetim se; “Gjoja e kishte turpëruar për shkak të marrëdhënieve intime me bashkëshorten e tij”. DORËZIMI I PARAVE
I dëmtuari ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës së të pandehurit Niko dhe ka takuar aty vjehrrin e tij dhe nga ky bashkëbisedim, vjehrri i të pandehurit kërkon nga i dëmtuari t‘i sjellë paratë sipas bisedës së bërë me Ardianin, por nuk i tregon se Ardiani është i burgosur. I dëmtuari, këtë sasi parash të kërkuara në muajin Maj të këtij viti, nuk ja ka dërguar tek shtëpia e vjehrrit dhe vjehrrës së tij sipas bisedës së bërë me të pandehurin Niko (Ardian) Smaqi. Në muajin shtator 2014, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi merr sërish një leje shpërblyese nga burgu i Vaqarrit. I pandehuri shkon te shtëpia e biznesmenit për ta takuar dhe duke qenë se ai i shmanget, Smaqi e telefonon në celular. Prokuroria përgjon dy takimet mes të dyve. Në takimin e dytë të zhvilluar 04.09.2014 mes tyre, është përgjuar dhe nga përmbajtja e bisedës rezultuan po ato të dhëna të bisedës së një dite më parë, por tashme i pandehuri dyshon që biseda e tyre mund të përgjohej. Pak orë pas këtij takimi, e pandehura Elinela Smaqi e kërcënon të dëmtuarin me anë të një mesazhi në telefonin e tij celular 06xxxxxx nga numri i saj celular 06xxxxxx me këtë tekst; “je bo shum i zgjut me pergjus i hike ati qa i ke bo vetes”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: