NJU JORK

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres bëri thirrje për “armëpushim” në Idlib dhe për dhënien fund të menjëhershëm të “ciklit të makthit dhe dhunës”.

Në një deklaratë për gazetarët në selinë e përgjithshme të OKB-së, Guterres tha se për shkak të konflikteve në veri-perëndim të Sirisë ku janë zhvendosur rreth 900 mijë njerëz, kanë humbur jetën fëmijë dhe se është shkelur “sistematikisht” ligji humanitar ndërkombëtar.

Pasi vuri theksin se në veriperëndim të Sirisë ndodhen rreth 2.8 milionë njerëz në nevojë për ndihmë, Guterres bëri thirrje për ndihmë në shumën prej 500 milionë dollarë për përballimin e nevojave të personave që janë zhvendosur në 6 muajt e fundit.

“Qeveria e Sirisë, me sulmet ajrore të mbështetura nga Rusia vazhdon sulmet e saj tokësore prej rreth një viti. Këtë muaj mes forcave turke dhe siriane janë shënuar konflikte që kanë rezultuar me vdekje. Përveç situatës dramatike dhe asaj humanitare që sa vjen e përkeqësohet, këto sjellin bashkë edhe rreziqe serioze rezultatet e të cilës as nuk mund t‘i imagjinojmë”, deklaroi Guterres.

Për të penguar daljen e tensionit në rritje nga kontrolli, sekretari i përgjithshëm, bëri thirrje për “armëpushim” në Idlib dhe për përfundimin e menjëhershëm të “ciklit të makthit dhe dhunës”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb