Dy avionë që transportonin 350 shtetas amerikanë të evakuuar nga zonat ku u përhap koronavirusi në Kinë arritën në bazën “Travis” të forcave ajrore në Solano County të Kalifornisë në SHBA.

Pasagjerët në njërin nga fluturimet e rezervuara nga Departamenti i Shtetit do të qëndrojnë në bazën ushtarake në karantinë për 14 ditë ndërsa pasagjerët në fluturimin tjetër raportohet se do të nisen për në Stacionin Hapësiror “Miramar Marps Corps” në San Diego pas ndalimit për karburant. Ata gjithashtu do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.

“Të evakuuarit që janë pranuar në Travis AFB si pjesë e operacionit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të vendosen në objektin e akomodimit ‘Travis Westwind Inn’. Do të vendoset një kordon sigurie, larg vendbanimeve, për të siguruar që misioni Travis të mund të vazhdojë me siguri, të mund të zbatohet privatësia e të evakuuarve dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit dhe stafit tonë në Travis”, thuhet në një kumtesë nga baza ajrore.

Këto dy fluturime vijnë pothuajse një javë pasi në Kaliforni arritën 195 të evakuuarit e parë amerikanë nga qytetin Wuhan. Ata janë nën një karantinë 14-ditore në bazën ajrore rezervë “March” në Riverside County.

Numri i personave që humbën jetën nga përhapja e koronavirusit, i cili fillimisht u paraqit në qytetin kinez Wuhan në muajin dhjetor, është rritur në pothuajse 500 ndërsa janë konfirmuar më shumë se 24 mijë raste të infektimit.

Besohet se virusi është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Përpos në Kinë, virusi është shpërndarë në mbi 20 shtete, duke përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Shumë shtete kanë evakuuar shtetasit e tyre nga qyteti Wuhan dhe zonat tjera të prekura, duke i vendosur ata nën përkujdesje mjekësore të izoluar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb