Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten detaje mbi ndihmën ushtarake shtesë për Ukrainën prej 820 milionë dollarësh. Ndihma përfshin sisteme të reja të raketave tokë-ajër dhe radarë kundër artilerisë.

Paketa e fundit synon të ndihmojë Ukrainën me armatime për të goditur raketat ruse me rreze të gjatë veprimi. Ajo vjen pas thirrjeve të zyrtarëve ukrainas drejtuar vendeve perëndimore që të dërgojnë sisteme më të avancuara për t’i bërë ballë më mirë Moskës.

Pentagoni tha të premten se administrata e Biden ka dërguar deri tani 7.6 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë në Ukrainë, përfshirë rreth 7 miliardë dollarë që nga fillimi i sulmit të Rusisë në të këtë vend, në fund të muajit shkurt.

Në një konferencë shtypi gjatë takimit të NATO-s që u mbajt në Madrid, Presidenti Joe Biden tha Shtetet e Bashkuara “do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa do të nevojitet”.

Paketa e 14-të e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, të njohura si NASAMS, të cilat mund të ndihmojnë forcat ukrainase të mbrohen kundër raketave me vetëdrejtim dhe avionëve rusë.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se sistemet mbrojtëse që po i dërgohen Kievit janë të standardeve të NATO-s dhe janë pjesë e një përpjekjeje për të modernizuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës e cila është e pajisur me armatime të periudhës sovjetike./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: