Ushtria amerikane dërgoi dy avionë bombardues B-52H nga Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme të enjten si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të parandaluar Iranin nga sulmet e mundshme mes rritjes së rrezikut në rajon, sipas një zyrtari të lartë ushtarak amerikan.

“Fluturimi nuk kishte të bënte me ndonjë veprim sulmues; kishte të bënte me parandalimin e Iranit nga ndërmarrja e veprimeve”, tha zyrtari i lartë ushtarak amerikan për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, duke shtuar se ushtria kishte parë “tregues shqetësues në Irak” së fundmi se Irani ose forcat e mbështetura nga Irani mund të planifikonin sulme.

Këto sinjale, së bashku me zvogëlimin e vazhdueshëm të numrit të trupave amerikane në Irak dhe përvjetorin e ardhshëm të sulmit amerikan në të cilin u vra komandanti i forcës elite Kuds, Qassem Soleimani, krijojnë një rrezik “mbi mesatar” për llogari të gabuara nga Irani, tha zyrtari i lartë i ushtrisë amerikane.

Të dy bombarduesit B-52H u nisën nga Baza e Forcave Ajrore Barksdale në Luiziana dhe nuk hodhën bomba gjatë misionit të tyre paralajmërues.

Misioni në këtë rajon kishte për synim të parandalonte agresionin dhe të siguronte aleatët, sipas një deklarate të Shtabit Qendror të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Demonstrim i angazhimit ndaj sigurisë

“Aftësia për të dërguar bombardues strategjikë në pjesën tjetër të botës në një mision pa ndalesa dhe për t’i integruar ata me partnerë të shumtë rajonalë tregon marrëdhëniet tona të forta dhe angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha në një deklaratë shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie.

Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi se do të tërhiqte 500 trupa amerikane nga Iraku para inaugurimit të presidentit vitin e ardhshëm.

Tensionet kanë mbetur të larta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që nga përplasjet e vitit të kaluar.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ushtria amerikane tha se grupi i mbështetur nga Irani, Kataib Hezbollah kishte kryer një sulm me raketa kundër një baze në Kirkuk, duke vrarë një kontraktor amerikan. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me një seri sulmesh hakmarrëse, duke arritur kulmin në janar të këtij viti me vrasjen e gjeneral Soleimanit, i cili mbikëqyrte aktivitetet e grupeve të ndryshme në Irak, si dhe Abu Mahdi al-Muhandisin, themeluesin e grupit Kataib Hezbollah.

Po atë muaj, Irani u përgjigj me një sulm me raketa ndaj bazës ajrore Ain al-Asad në Irak, e cila strehon trupat amerikane dhe ndërkombëtare. Asnjë ushtarë amerikan nuk u vra ose nuk u plagos rëndë gjatë sulmit, por më shumë se 100 ushtarë pësuan tronditje dhe dëmtime traumatike të trurit.

Në sulmet e mëvonshme hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara në mars, u shkatërruan pesë depo armësh të grupit Kataib Hezbollah në Irak.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb