Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë paralajmëruan Teheranin se përparimet e vazhdueshme bërthamore dhe pengesat ndaj punës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do të rrezikojnë kthimin tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Gjatë një takimi të shtunën në Romë, ku po zhvillohet takimi i G-20-ës, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson thanë se mbështesin premtimin e Presidentit Joe Biden për t’i kthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Irani bën të njëjtin hap.

Ish-presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018. Presidenti Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rikthehen tek marrëveshja pasi Teherani të fillojë zbatimin e plotë të kufizimeve të përmendura në marrëveshje në lidhje me zhvillimin e armëve bërthamore.

Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë përsëritën se kthimi në marrëveshjen bërthamore do të rezultonte në heqjen e sanksioneve që aktualisht po dëmtojnë ekonominë e Teheranit. “Ne i bëjmë thirrje Presidentit Raisi që të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të kthehet në një përpjekje të besimit të mirë për të përfunduar negociatat tona si një çështje urgjente”, thanë ata në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë pas takimit.

Në deklaratë, gjithashtu thuhet se udhëheqësit e katër vendeve ndajnë “shqetësimin e madh dhe në rritje” se Irani “ka shpejtuar ritmin e hapave provokues bërthamore” pasi ndërpreu negociatat për kthimin në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Takimi i ashtuquajtur i formatit E3+1 në Romë erdhi pas njoftimit të Teheranit në fillim të kësaj jave se është gati të rifillojë negociatat para fundit të nëntorit.
“Ato janë planifikuar të rifillojnë”, u tha Biden gazetarëve kur u pyet se kur do të dëshironte të fillonin bisedimet për rikthimin tek marrëveshja bërthamore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb