SHBA ka njoftuar se kanë rënë dakord të marrin pjesë në bisedime indirekte bërthamore me Iranin duke filluar që nga java e ardhshme, që shënon një përparim të madh të mundshëm që mund të gjejë rrugëdalja nga situata e bllokuar prej disa muajsh.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se tani për tani nuk do të ketë ndonjë bisedim të drejtpërdrejtë me Iranin dhe se SHBA në vend të kësaj do të angazhohet në bisedime “me partnerët tanë evropianë, rusë dhe kinezë”.

Këto bisedime do të përqendrohen në identifikimin e “çështjeve të përfshira në një kthim të ndërsjellë të pajtueshmërisë” në lidhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, tha Price në një deklaratë me shkrim dërguar AA-së.

Diplomacia e këtillë do të përqendrohet rreth grupeve të punës që do të formohen nga BE me pjesëmarrësit e tjerë që janë pjesë e Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA), përfshirë Iranin.

“Çështjet kryesore që do të diskutohen janë hapat bërthamorë që Irani do të duhet të ndërmarrë në mënyrë që të kthehet në përputhje me kushtet e JCPOA-së dhe hapat e lehtësimit të sanksioneve që SHBA do të duhet të ndërmarrin në mënyrë që të kthehen në përputhje gjithashtu”, tha Price.

Përderisa administrata e Joe Biden-it aktualisht nuk parashikon mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Iranin, Price tha se SHBA “mbetet e hapur për këtë”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb