Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje që synon lehtësimin e një lufte tregtare që ka tronditur tregjet dhe ka goditur ekonominë globale.

Duke folur në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump tha se pakti do të ishte “transformues” për ekonominë e SHBA-së.

Zyrtarët e lartë kinezë e quajtën atë një marrëveshje të “fitores” që do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve.

Kina është zotuar të rrisë importet e SHBA-së me 200 miliardë dollarë, mbi nivelet e vitit 2017, dhe të forcojë rregullat e pronësisë intelektuale.

Në këmbim, SHBA-ja ka rënë dakord të përgjysmojë disa nga tarifat e reja që ka vendosur për produktet kineze.

Presidenti Trump ka thënë në fund të vitit të kaluar, se ai pas nënshkrimit të marrëvëshjes së quajtur “Faza e Parë”, do të udhëtojë në Pekin për të filluar bisedimet për fazën tjetër të marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara filluan një luftë tregtare kundër Pekinit, një vit e gjysmë më parë, pasi e akuzuan për praktika të padrejta të tregtisë, të tilla si vjedhja e pronës intelektuale amerikane dhe subvencionet shtetërore të cilat i përfitojnë kompanitë kineze.

Administrata amerikane e presidentit Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 25 % mbi importet europiane të automobilave nëse Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania nuk akuzojnë zyrtarisht Iranin për shkelje të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, raporton gazeta amerikane ‘Ëashington Post’ duke cituar burime europiane. Të tre këto vende vendosën të martën një mekanizëm ku Irani nxitet që të respektojnë marrëveshjen bërthamore në rast të kundërt pëerballet me sanksione.

Në një deklaratë, të tre vendet thanë se ato ende dëshirojnë që marrëveshja të ketë sukses dhe se ata nuk po bashkoheshin në një fushatë “presioni maksimal” kundër Iranit nga SH.B.A qe e braktisi marrëveshjen në vitin 2018 dhe duke rivendosur sanksionet. Irani mohon se programi i tij bërthamor ka për qëllim ndërtimin e armëve nukleare.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb