Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden, njoftoi sot një program të ri të quajtur “Të bashkohemi për Ukrainën”.

Ky program do të mundësojë një  proces të thjeshtëzuar për ukrainasit që kërkojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Masa është pjesë e angazhimit të Biden për të pranuar deri në 100,000 njerëz që ikin nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.

CNN raportoi më herët gjatë ditës se programi do të kërkojë që ukrainasit që kërkojnë të hyjnë në SHBA, të sponsorizohen nga një qytetar ose individ amerikan.

Zyrtarët e administratës thanë të enjten se individët do të duhet t’i nënshtrohen verifikimit dhe kontrolleve rigoroze të sigurisë, duke përfshirë kontrollin biografik dhe biometrik, si dhe vaksinimet e plota dhe kërkesat e tjera të shëndetit publik, duke përfshirë marrjen e vaksinës Covid-19, për t’u kualifikuar. Ukrainasit duhet të kenë qenë gjithashtu banorë në Ukrainë që nga 11 shkurti.

Sponsorët duhet të kalojnë kontrollet e tyre të sfondit të sigurisë, si dhe të deklarojnë mbështetje financiare. Nuk ka një kufi për numrin e individëve që një person ose grup mund të sponsorizojë, por zyrtarët e administratës vunë në dukje se do të vlerësojnë mjetet dhe aftësinë e tyre për të mbështetur ukrainasit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të administrojë programin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb