Administrata e presidentit amerikan Joe Biden “duhet të bëjë gjithçka që është e mundur” për të ekstraduar kreun e rrjetit të FETO-s, Fetullah Gülen në Turqi, ka thënë eksperti me bazë në SHBA, Michael Doran.

Doran, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin “Hudson” tha se kjo është “një çështje e sigurisë kombëtare për SHBA-në” duke vënë në dukje se Turqia është një “aleat jashtëzakonisht i rëndësishëm”, e cila, siç tha ai “do të bëhet më e rëndësishme me kalimin e kohës”.

“Atje kishte një përpjekje për grusht shteti të udhëhequr nga ai dhe ai është i urryer nga të gjithë në Turqi, nga qeveria dhe opozita”, tha Doran, duke iu referuar Gülen-it.

“Është e pamundur që SHBA-ja t’i shpjegojë popullit turk pse ky njeri po qëndron në Pensilvani. Pra, për mua, kjo është një çështje e sigurisë kombëtare dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur”.

Doran potencoi se Departamenti i Drejtësisë ka thënë se nuk ka marrë prova të mjaftueshme për ekstradimin e Gülen-it, për të cilat ai tha se nuk është në gjendje t’i vlerësojë. Por, Doran pohoi se “do të punonte sa më shumë që të jetë e mundur për të ndihmuar turqit që të paraqisnin gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që ne të pranojmë kërkesën e tyre”.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut në të cilin ranë 251 dëshmorë dhe 2.734 të tjerë u plagosën.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Dita e 15 korrikut, dita e grushtit të shtetit të mposhtur, tani në Turqi shënohet si Dita e Demokracisë dhe e Unitetit Kombëtar, me përkujtimet që do të mbahen sot në të gjithë Turqinë.

Doran tha se ai “nuk ka dyshim” se Gülen ishte prapa komplotit të mposhtur.

“Sidomos nga pikëpamja amerikane, e gjithë historia e lëvizjes Gülen është si një fantashkencë, se mund të ketë një organizatë që drejtohet, një kult në thelb, e drejtuar nga Pensilvania që po kryen këtë lloj lëvizjeje”, tha ai.

“Duket e pamundur. Në fakt, shumë amerikanë nuk e besojnë historinë, ajo që unë mendoj unë dhe t’i jemi dakord se është realiteti. Ata nuk e besojnë atë sepse tingëllon kaq fantastike”, shtoi ai.

Doran tha se ai vetë hasi anëtarë të FETO-s në punën e tij. “Unë kam parë se si ata thonë një gjë para teje dhe diçka tjetër para dikujt tjetër. Dhe, kjo është hera e parë që përjetova”, tha ai.

“Këtu kisha një rast të një gazetari në Washington i cili ishte gylenist. Nuk e dija dhe mendova se ai ishte një mik i imi. Pastaj përmes një serie ngjarjesh, unë u alarmova për faktin se ai ishte duke shkruar gjëra për mua që ishin krejt të kundërta, duke shkruar gjëra për mua në turqisht që ishin krejt e kundërta e asaj që ai thoshte para meje. Nuk mund të besoja në fillim, sepse me të vërtetë mendoja se isha shok me të”, tha Doran.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb