Mes frikës se një pushtimi të Ukrainës nga ana e Rusisë, e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek konflikti mes vendeve. Rritja e tensioneve u shtua edhe me shumë me paralajmërimin nga ana e SHBA se Rusia më 16 shkurt mund të pushtojë Ukrainën, ndonëse nga ana e saj Moska i kishte mohuar këto akuza.

Ndonëse nuk u paraqit një pushtim i Ukrainës, zyrtarë të SHBA, BE dhe NATO-s ende besojnë se rreziku nuk është larguar, pavarësisht faktit se Ministria e Mbrojtjes së Rusisë bëri me dije tërheqjen e disa trupave ushtarakë nga kufiri me Ukrainën.

Sëfundmi një deklaratë ka ardhur nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e cila fajëson Uashingtonin për destabilizimin e Ukrainës dhe Europës.

“Uashingtoni për kërkon tregun europian të gazit nga Rusia, ndaj destabilizimi i situatës në Ukrainë i ka sjellë dobi gjatë këtyre viteve”, ka thënë Zakharova.

Gjithashtu ajo deklaroi se është SHBA ajo që po nxit tensione mbi Ukrainë për të parandaluar zbatimin e gazsjellësit Nord Stream 2.

“Nord Stream 2 është një projekt që u përpoqën ta vononin në çdo mënyrë, që të mos realizohej kurrë, pastaj e ndaluan ndërtimin e tij, pastaj shpikën arsyet pse nuk mund të vihet në funksion dhe tani po krijojnë shpikjen e një ‘kërcënimi’ të ri rus për të vendosur më shumë sanksione. Ndërsa synojnë të trembin evropianët me perspektivën e mosmarrjes së burimeve energjetike nga ne,” tha Zakharova.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb