Libani duhet të kryejë reforma urgjente fiskale në mënyrë që të mund të futet në fondet e ndihmës, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar pas një konference ndërkombëtare të donatorëve për Beirutin e goditur nga katastrofa e shpërthimit në portin kryesor të vendit.

Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva është kritike për “mungesën e vullnetit politik për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme”.

“Ne jemi të gatshëm të dyfishojmë përpjekjet tona. Por, ne kemi nevojë për unitet në Liban, ne kemi nevojë që të gjitha institucionet të bashkohen për të kryer reformat shumë të nevojshme”, thotë Georgieva.

“Angazhimi për këto reforma do të zhbllokojë miliarda dollarë në të mirë të popullit libanez”, shton ajo.

FMN po përqendrohet në rivendosjen e aftësisë paguese të financave publike, te masat mbrojtëse për të parandaluar daljen e kapitalit dhe te humbjet që rrjedhin nga ndërmarrjet shtetërore.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: