Qeveritë e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe në një deklaratë të përbashkët njoftuan se e mirëpresin përcaktimin e kreut dhe anëtarëve të Këshillit të presidencës si dhe të kryeministrit në Libi.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi me shkrim deklaratën e përbashkët që qeveritë e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë bënë në lidhje me zhvillimet e fundit në Libi.

Vendet në fjalë, mirëpritën marrëveshjen e arritur nga Forumi Libian për Dialog Politik lidhur me qeverinë e përkohshme.

“Hapi në fjalë është shumë i rëndësishëm për hapjen e rrugës në sigurimin e stabilitetit politik në Libi dhe zhvillimin e zgjedhjeve në muajin dhjetor. Qeveria aktuale pritet të dorëzojë në mënyrë paqësore të gjitha kompetencat dhe detyrat tek ekzekutivi i ri”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se në Libi duhet të përfundojnë konfliktet, të zbatohet embargoja e armëve të vendosur më parë dhe të tërhiqen luftëtarët e huaj dhe mercenarët në vend.

Si rezultat i votimit nga anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik i cili u mblodh dje në Zvicër nën kryesimin e Kombeve të Bashkuara, deri në zgjedhjet e ardhshme që janë planifikuar të mbahen më 24 dhjetor 2021, kryetar i Këshillit të Presidencës së Libisë u zgjodh Mohammad Younes Menfi ndërsa si kryeministër u zgjodh, Abdul Hamid Mohammed Dbeibah.

Në votimin e zhvilluar sipas mënyrës së listës, thuhet se lista ku krahas Menfi dhe Dbeibah përfshihen si ndihmës të Këshillit presidencial Mossa Al-Koni dhe Abdullah Hussein Al-Lafi mori 39 vota nga gjithsej 74 anëtarë.

Ndërsa lista tjetër që mbeti në raundin e dytë e përbërë nga Akile Saleh, Fethi Bashaga, Usame Juveyli dhe Abdulmecid Seyfunnasr mbeti në 34 vota.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb