Ministrat e Jashtëm të vendeve të industrializuara, G7, i bënë thirrje Rusisë për të gjetur autorët në lidhje me helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse dhe kërkuan që ata të nxirren para drejtësisë.

“Ne, ministrat e Jashtëm të G7-ës dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, jemi të bashkuar në dënimin, në termat më të fortë të mundshëm, të helmimit të konfirmuar të Alexei Navalny”, theksoi G7 në një deklaratë.

Gjermania ka informuar partnerët e saj të G7 se “Navalny është viktimë e një sulmi me një agjent nervor kimik të grupit Novichok, substancë e zhvilluar nga Rusia”, transmeton Atsh.

Grupi tha se çdo përdorim i armëve kimike është i papranueshëm dhe bie ndesh me normat ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e armëve të tilla.

“Ne, ministrat e Jashtëm të G7 i bëjmë thirrje Rusisë që urgjentisht dhe plotësisht të vendosë transparencë se kush është përgjegjës për këtë sulm të neveritshëm të helmimit dhe duke pasur parasysh angazhimet e Rusisë nën Konventën e Armëve Kimike, të nxjerrë autorët para drejtësisë”, theksohet në deklaratën e përbashkët.

Navalny, 44-vjeçar, një kritikues i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht. Ai kaloi dy ditë në një spital para se të dërgohej në Berlin për mjekim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb