Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike ndaj lajmeve që qarkulluan së fundmi për një mundësi të rikthimit të lejimit të udhëtimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi lajmin si një “tallje” dhe një tjetër iluzion i krijuar nga, siç e quan ai, “Bufi dhe këneta”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për manipulim të mbështetësve të opozitës përmes propagandës dhe iluzioneve të pavërteta.
“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…
Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri”, shkruan ai.