Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë se koha i dha të drejtë për Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, të cilët janë shpallur non grata nga SHBA.

Basha thekson se kriza në të cilën ndodhet Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe procesit zgjedhor. Edhe pse hetimet sipas ish-kryedemokratit duhet të bëheshin nga organet ligjzbatuese shqiptare, është lajm i mirë që edhe partneri strategjik, siç është SHBA është i fokusuar në luftën kundër korrupsionit, që sipas tij po minon demokracinë.

Postimi i Lulzim Bashës:

Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim.

Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet:
“Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.

Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb