Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë duke zhvilluar diskutime në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet për gazjellësin Rrjedha Veriore 2. Bisedimet po mbahen në Uashington, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Ai tha se është në interesin e Gjermanisë që të arrijnë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të jetë e lehtë dhe mund të mos ndodhë shpejt, por unë kam besim se do të kemi sukses në arritjen e një zgjidhjeje”, tha Maas pa dhënë më shumë detaje. Rreth 95 për qind e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit nga Rusia kanë përfunduar dhe i gjithë projekti pritet të finalizohet në muajin shtator. Ndërtimi i tij kishte shkaktuar përplasje mes administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe Berlinit. Që kur e mori detyrën në janar, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është në përpjekje për të përmirësuar raportet me Evropën.

Mediat gjermane raportuan se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dërguar dy ndihmësit e saj më të afërt në Uashington për të punuar në një marrëveshje kompromisi përpara vizitës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Evropë në mes të qershorit.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se tubacioni do ta bëjë Evropën më të varur nga furnizimet e energjisë ruse dhe do të anashkalojë Ukrainën, e cila mbështetet në tarifat e tranzitit të gazit.
Qeveria gjermane ka refuzuar të ndalojë punën e projektit, duke thënë se kjo është një çështje e brendshme. Biden, ka thënë se gjermanët janë të vetëdijshëm për shqetësimet amerikane.
Ai gjatë qëndrimit në Evropë pritet të takohet me kancelaren Merkel si dhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Më 19 maj administrata e Bidenit sanksionoi disa kompani dhe anije për punën e tyre në projektin Rrjedha Veriore 2, por hoqi dorë nga sanksionet për kompaninë Nord Stream 2 AG që qëndron prapa projektit dhe shefin ekzekutiv të saj, Matthias Warnig, një aleat i ngushtë i Putinit.
Kompania ruse e energjisë Gazprom, që kontrollohet nga shteti, është aksionare kryesore në kompaninë Nord Stream 2 AG me qendër në Zvicër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: