SHBA-ja njoftoi se do të blejë 100 mijë predha obusi nga Koreja e Jugut për Ukrainën.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon), nënkoloneli Marty Meiners tha se vendi i tij është në bisedime për të blerë municion, veçanërisht nga sektori privat i industrisë së mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Ai theksoi se nuk do të blejnë municion nga rezervat ushtarake të Seulit, në mënyrë që të mos ndërlikohen përgatitjet e mbrojtjes së Koresë së Jugut kundër kërcënimeve rajonale.

Qeveria e Koresë së Jugut ruan parimin e ofrimit të mbështetjes jo vdekjeprurëse për Ukrainën. Prandaj, Koreja e Jugut synon ta mbrojë këtë parim duke i shitur municionin SHBA-së në vend që t’i dërgojë ato drejtpërdrejt në Ukrainë.

Zyrtarët e Pentagonit deklaruan se me marrëveshjen me Korenë e Jugut, presioni mbi rezervat e tyre të municionit do të ulet.

Në deklaratën nga Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut thuhet se po vazhdojnë negociatat për shitjen e disa predhave të artilerisë për të mbështetur rezervat e municionit amerikan.

Shitjet e armëve të Koresë së Jugut

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi armë dhe municion nga Koreja e Jugut pasi Rusia sulmoi Mariupolin në prill. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se nuk mund të përmbushin kërkesën e Zelenskyy-t për armë kundërajrore dhe mund të ofrojnë vetëm ndihmë jovdekjeprurëse.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Koreja e Jugut ka nënshkruar marrëveshje armësh me vendet evropiane për të rritur sigurinë e tyre.

Seuli i ka shitur Polonisë rreth 9 miliardë dollarë avionë luftarakë F-16, avionë stërvitorë, tanke dhe obusë.

Në një deklaratë nga Pentagoni thuhet se Koreja e Jugut ka ofruar armë për të gjithë aleatët, përfshirë SHBA-në.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb