Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se do të shpallin një paketë të re mbështetëse për ushtrinë ukrainase nga inventari i SHBA-së këtë javë, dhe kjo paketë përfshin 4 sisteme raketash artilerie me performancë të lartë (HIMARS).

Austin foli në hapjen e takimit të Grupit të Kontaktit të Ukrainës, që u mbajt me video-konferencë, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes të rreth 50 vendeve.

Ai tha se Rusia nuk mundi të arrijë asnjë nga qëllimet e saj për të “marrë kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, për të rrëzuar qeverinë ukrainase dhe për të kapur lehtësisht rajonin e Donbasit”.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Ukrainës”, theksoi Austin.

“Këtë javë, me mandatin e Presidentit (Joe Biden) ne do të shpallim një paketë të re ndihme armësh për Ukrainën nga inventari i ushtrisë së SHBA-së. Kjo do të jetë paketa jonë e 16-të e pajisjeve që i kemi ofruar Ukrainës nga inventari i Pentagonit që nga gushti 2021. Kjo paketë do të përfshijë 4 sisteme raketash të avancuara HIMARS që ukrainasit i përdorin me shumë efikasitet dhe bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në fushën e betejës”, tha Austin.

Sekretari Austin informoi se në paketë do të përfshihet edhe municioni i raketave me shumë fuçi (MLRA).

Duke kujtuar se Britania e Madhe i dha Ukrainës sistemet MLRA, Austin tha se armët që do të furnizohen nga Gjermania do të jenë së shpejti në Ukrainë.

Pentagoni deri më tani i ka dhënë Ukrainës gjithsej 12 sisteme HIMARS.

Me 4 sistemet HIMARS në këtë paketë të re, numri i sistemeve HIMARS të dhëna nga SHBA-ja për Ukrainën do të rritet në 16.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb