Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar për emërimin e dy grave, të cilat do të udhëheqin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur gratë dhe vajzat afgane, por edhe të drejtat e njeriut. Blinken emëroi Rina Amirin në postin e të dërguarës së posaçme për gratë e vajzat afgane dhe për të drejtat e njeriut. Ndërkaq, Stephanie Foster u emërua këshilltare e lartë për çështjet e vajzave në përpjekjen për zhvendosjen, tha Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 29 dhjetor.

Blinken tha se Rina, një studiuese amerikane me origjinë afgane, “do të punojë në një çështje shumë të rëndësishme për mua, për këtë administratë dhe për sigurinë kombëtare të SHBA-së: të drejtat e njeriut dhe lirive themelore të grave, vajzave dhe popullatës në rrezik”.

Foster do të punojë së bashku me ekipin e DASH-it për Përpjekjet për Koordinim të Zhvendosjes së afganëve. “Ne dëshirojmë një Afganistan paqësor, stabil dhe të sigurt, ku të gjithë afganët mund të jetojnë dhe të jenë të suksesshëm nga përfshirja politike, ekonomike dhe sociale”, tha Blinken. Që prej se kanë marrë pushtetin në Afganistan, talibanët kanë emëruar një qeveri të përbërë vetëm nga burrat dhe janë zotuar se do të rikthejnë Ligjin islamik të Sheriatit. Grupi islamist i linjës së ashpër po ashtu ka mbyllur Ministrinë për Çështje të Grave dhe ka kufizuar të drejtat e grave, pavarësisht se janë zotuar se qeveria e re do të respektojë të drejtat e njeriut.

Shumë grave u është ndaluar që të kthehen në punë, ndërkaq shumicës së vajzave u është ndaluar shkollimi i mesëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: