Shtetet e Bashkuara zyrtarisht kanë futur në listë të zezë dhjetëra anije ruse, që janë të përfshira në ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”. Ky njoftim i Departamentit amerikan të Thesarit vjen pas kritikave nga republikanët në Kongres, lidhur me një njoftim të mëhershëm të Shtëpisë së Bardhës e nuk do të përfshijë operatorin rus të gazsjellësit në listën e sanksioneve.

Gazsjellësi pothuajse i ndërtuar në Detin Baltik, do të sjellë gazin rus direkt në Gjermani, duke kaluar përmes Ukrainës, Bjellorusisë dhe shteteve të tjera. Kritikët thonë se kjo gjë do të rrisë varshmërinë e Gjermanisë ndaj energjisë ruse dhe do ta bëjë Berlinin më të ndjeshëm ndaj politikave ruse. Po ashtu, do ta privojë Ukrainën dhe shtetet tjera që të përfitojnë nga tarifat e transitit.

Megjithatë, gazsjellësi është mbështetur nga qeveria e kancelares Angela Merkel dhe vëzhguesit politikë thonë se presidenti, Joe Biden duket se nuk dëshiron që të nxisë konflikt me një aleate të SHBA-së për këtë çështje.

Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se nuk e ka ndërmend të përfshijë në listën e sanksioneve operatorin e gazsjellësit, Nord Stream 2 AG – që është në pronësi ruse – e as shefin ekzekutiv të këtij operatori, Matthias Warnig, që është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin. Senatorët republikanë kanë thënë se do ta hartojnë një legjislacion për të rivendosur sanksionet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: