Departamenti amerikan i Shtetit përshëndeti ofertën e Kinës, për të qenë nikoqire e takimin të radhës midis zyrtarëve afganë dhe talibanëve.

Mesazhi ishte pjesë e një deklarate të përbashkët që qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës dhe Pakistanit lëshuan më 28 tetor, pasi mbajtën një takim të përbashkët në Moskë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Afganistan, Zalmay Khalilzad, përfaqësoi Shtetet e Bashkuara gjatë takimit në Rusi, ku katër fuqitë, përsëritën mbështetjen e tyre për “një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” të paqes në Afganistan, shkruan Rel.

Talibanët deklaruan javën e kaluar se konferenca do të zhvillohej më 29 dhe 30 tetor. Sidoqoftë, më 29 tetor, një zëdhënës i talibanëve mohoi se një delegacion talibanëve po qëndronte në Pekin.

Gjithashtu, Kina nuk e konfirmoi takimin, por tha që do të mbështesë një “proces të paqes dhe pajtimit të udhëhequr nga afganët”.

“Kina është e gatshme të sigurojë lehtësim dhe ndihmë për të promovuar procesin e paqes dhe pajtimit afgan, përfshirë dialogun e brendshëm afgan, mbi bazën e respektimit të kërkesave të të gjitha palëve”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Geng Shuang.

Bisedimet në Kinë pritet të përfshijnë “një gamë të gjerë të figurave politike”. Aty do të jenë “përfaqësuesit e qeverisë së Afganistanit, udhëheqësit e tjerë afganë dhe talibanët”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Diskutimet e fundit u zhvilluan në korrik në kryeqytetin Doha të Katarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb