Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën (10 gusht) se do të ndihmojnë Mianmarin (i njohur edhe si Burma) me më shumë se 50 milionë dollarë për të zbutur një krizë humanitare që u shkaktua nga trazirat politike dhe nga rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19.

Ky vend i Azisë Juglindore është përfshirë në trazira, tash e sa kohë, pasi në muajin shkurt ushtria rrëzoi një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe mori pushtetin me dhunë.

SHBA-ja gjithashtu ka ndarë një ndihmë prej 5 milionë dollarësh për Tajlandën për të përballuar situatën me pandeminë, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price përmes një deklarate.

Në Mianmar, mjetet financiare amerikane do të ofrojnë ndihmë për “njerëzit që detyrohen të largohen nga dhuna dhe persekutimi”, si dhe personat që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor”, tha Departamenti i Shtetit.

“Ky financim vjen në një kohë kritike pas rritjes së nevojave humanitare dhe do të ndihmojë në zbutjen e ndikimeve të COVID-19 në jetën e njerëzve të Tajlandës dhe Burmës”, tha Price.

Pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit, njerëzit nga Mianmar vazhdojnë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së vazhdueshme.

Gjashtë muaj pasi ushtria mori pushtetin, ekonomia dhe sistemi shëndetësor i Mianmarit janë goditur rëndë.

Rastet me COVID-19 arritën kulmin në Mianmar muajin e kaluar, me 3.824 raste të reja ditore. Në këtë vend janë shënuar 12.014 vdekje të lidhura me koronavirusin që nga fillimi i pandemisë.

Në Tajlandë, raportohen më shumë se 20,400 raste çdo ditë, sipas të dhënave të Reuters.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: