SHBA-Zyrtarët amerikanë kanë prezantuar programin pilot 20 milionësh që ndihmon në pajisjen e institucioneve të zbatimit të ligjit me kamera trupore. Programi është pjesë e një shtyse të përgjithshme nga policia amerikane për të pajisur oficerët me kamera, në mënyrë që të sigurohen regjistrime më të qarta të arrestimeve.

Po ashtu është pjesë e një propozimi të bërë nga presidenti Barak Obama vitin e kaluar për të investuar 75 milionë dollarë në blerjen e 50,000 kamerave trupore. Ky veprim vjen si pasojë e thirrjeve në rritje për transparencë dhe llogaridhënie nga ana e institucioneve të zbatimit të ligjit, pas një sërë përplasjesh me pasojë vdekjen mes policëve të bardhë dhe zezakëve.

“Kamerat trupore premtojnë transparencë, nxisin llogaridhënien dhe sigurinë publike të avancuar për oficerët e policisë dhe komunitetin ku shërbejnë,” tha në një fjalim prokurorja e përgjithshme, Loretta Lynch.

Trazirat filluan në Baltimore të hënën dhe protestat u zhvilluan në disa shtete amerikane këtë javë dhe demonstruesit u mblodhën për vdekjen e Freddie Gray, një zezak 25 vjeçar, i cili vdiq pas mori disa plagë në qafë gjatë në burg.

“Programi i kamerave trupore është i rëndësishëm për Departamentin e Drejtësisë që të pajisen institucionet e zbatimit të ligjit në të gjithë vendin me të gjitha mjetet, mbështetjen dhe trajnimet e duhura në kapërcimin e sfidave të shekullit 21”, tha Lynch.

Programi pilot do të udhëhiqet nga Byroja e Asistencës së Drejtësisë. “Teknologjia e kamerave trupore është mjet i domosdoshëm në përmirësimin e marrëdhënies polici-shtetas”, tha drejtori i byrosë, Denise O’Donnell.

Nga 20 milionë, 17 do të përdoren për blerjen e kamerave trupore, 2 milionë për trajnim dhe asistencën teknike dhe 1 milion për zhvillimin e mjeteve të vlerësimit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: