Sekretari amerikan për Shëndetësi Xavier Becerra i ka bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të sigurojë “transparencë’ në fazën e ardhshme të hetimeve për origjinën e koronavirusit. Duke folur në nivel ministrash në një takim të OBSH-së, Becerra ka thënë se ekspertët ndërkombëtarë duhet të lejohen që të analizojnë burimin e koronavirusit.

Mediat amerikane kanë raportuar për rritje të të dhënave se virusi mund të ketë dalë nga laboratori në Kinë. Koronavirusi i ri është identifikuar fillimisht në Vuhan më 2019, në provincën Hubei. Prej atëherë, më shumë se 167 milionë raste të infektimit dhe 3.4 milionë vdekje janë raportuar në gjithë botën.

Në mars të këtij viti, OBSH-ja ka publikuar një raport të shkruar edhe me shkencëtarët kineë për origjinën e koronavirusit, duke thënë se mundësitë e nisjes së tij në laborator janë “jashtëzakonisht të vogla”. Megjithatë, OBSH-ja e pati pranuar se ka nevojë për studime shtesë. Mirëpo pyetjet kanë vazhduar të qarkullojnë dhe disa raportime që u janë atribuuar burimeve të inteligjencës amerikane thonë se tre anëtarë të Institutit të Vuhanit për Virologji janë shtruar në spital në nëntor të vitit 2019, disa javë para se Kina të raportonte rastin e parë të infektimit në komunitet.

Pekini ka kundërshtuar ashpër raportimet, duke thënë se virusi mund të ketë dalë nga ndonjë laborator amerikan. Duke folur në takimin e OBSH-së, Becerra nuk e ka përmendur Kinën, mirëpo e ka bërë të qartë nevojën për fazë më rigoroze të hetimit. “Pandemia jo vetëm që ka marrë një vit të jetës sonë, por edhe ka marrë miliona jetë njerëzish”, ka thënë ai. “Faza e dytë e hetimeve për origjinë të koronavirusit duhet të nisë me transparencë, bazë shkencore dhe qasje të ekspertëve ndërkombëtarë në burimet e virusit në ditët e para të shpërthimit”. Shtëpia e Bardhë ka thënë të martën se është duke pritur hetim të ndarë nga ndërhyrjet politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: