Një zhvillim real brenda përmbajtjes së rendit botëror, ka evidentuar disa probleme të mprehta, shqetësime reale e pikëpyetje të natyrshme. Këto zhvillime janë pjesë integrale e evoluimit të rendit botëror, pavarësisht çështjes nëse do të shkohet drejt një ndryshimi të madh të tij apo në se kanë të drejtë ata që besojnë në një fund të rendit botëror liberal. Disa drejtime të këtyre zhvillimeve janë në proces evoluimi, ku ecuria e ndryshimit të marrëdhënies perëndimore dhe ajo e marrëdhënies mes SHBA, Kinës e Rusisë veçanërisht, por, dhe e aktorëve të tjerë të rëndësishëm, problemi i raportit mes multilaterizmit e globalizmit, por sidomos dhe ai i angazhimit dhe rolit të SHBA në zhvillimet botërore, sa i përket garantimit të stabilitetit e sigurisë së rendit botëror, tërheqin veçanërisht vëmendjen.

Brenda kësaj përmbajtje tepër të pasur dhe shumë të rëndësishme, po zhvillohet dhe ajo që është vlerësuar si një luftë e vërtetë tregtare mes SHBA dhe Kinës, që përfaqësojnë dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe në kushtet kur globalizmi ka pasuruar ndjeshëm përmbajtjen e vet dhe ka evoluar cilësisht. Nëse nuk ndalesh vetëm përpara luftës reale tregtare, por depërton më thellë atëherë, do të kuptohet një problematikë komplekse, që afekton jo thjesht zhvillimet ekonomike e tregtare botërore, por dhe elementë të tjerë, nëse mban parasysh vendin e rolin e këtyre fuqive të mëdha në zhvillimet e sotme dhe të ardhshme botërore.

Një luftë tregtare mes tyre tashmë ka krijuar një përmbajtje konkrete. Ajo filloi me tarifat e deklaruara të SHBA ndaj Kinës, që u shoqërua me kundër tarifa kineze e më pas me tarifa të reja amerikane. Tash mund të flitet për një përshkallëzim serioz të kësaj luftë tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Nëse SHBA vendosën tarifa në vlerën e 200 miliardë dollarëve ndaj produkteve kineze, me argumentin se Kina ka ndjekur praktika të padrejta tregtare, Kina u përgjigj duke sanksionuar mallra amerikane në vlerën e 60 miliardë dollarëve. Marrë në tërësi, tarifat e vendosura nga SHBA kanë prekur produktet kineze në vlerën e 250 miliardë dollarëve, që do të thotë, se gjysma e importeve të Kinës në SHBA, janë tashmë subjekt i këtyre tarifave.

Këtë përshkallëzim të luftës tregtare SHBA e argumenton me synimin, që të ndalojë, atë që e kualifikon apo akuzon Kinën, për transferime të padrejta të teknologjisë dhe pronave intelektuale amerikane drejt Kinës. SHBA, me këtë lëvizje synon, gjithashtu, të mbrojë vendet e saj të punës, por, që kështu, nuk mund të mos shkaktojë tronditje në tregjet botërore, në kushtet e një ekonomie botërore tashmë të globalizuar. Kina u përpoq të lëvizë drejt sigurimit të bashkëpunim edhe me vende të BE, të cilat përjetuan tarifa amerikane ndaj çelikut e aluminit, duke mbajtur parasysh edhe shkallën e globalizimit të ekonomisë botërore, por, që nuk arriti ta kurorëzojë. U fol në fillim të reagimit edhe europian, për një samit të mundshëm BE-Kinë, por që nuk funksionoi. Në këto kushte të zhvillimit të luftës tregtare, rreziku i dëmtimit të ekuilibrave ekonomikë e tregtarë, bëhet më i lartë, kur merr parasysh edhe shqetësimet apo parashikimet e specialistëve të ekonomisë, për shpërthimin e një fluske të re, që mund të sjellë një krizë hibride, më të rëndë se ajo e vitit 2008.

Globalizimi, me përmasat që ka marrë, ka në përmbajtjen e tij edhe pozitiven por edhe negativen. Nëse do të ishte vetëm ose kryesisht negativ, ky fenomen nuk do të kishte të ardhme e nuk do të pasuronte përmbajtjen e tij, që tashmë rregullohet edhe nga organizma ndërkombëtare përkatëse, ku OBT ka një rol të veçantë. Tash, po flitet më shumë për fenomenet negative, ku përfshihet edhe mendimi se hiperglobalizimi ka thelluar ndjeshëm pabarazitë. Në kushtet e një konkurrence korrekte, kuptohet edhe prezenca e pabarazive, por në se ato bëhen jashtëzakonisht të thella, atëherë vërtet përbën shqetësim real kompleks.

Që ekonomia botërore është nën tension sot, kjo situatë nuk mund të shpjegohet kryesisht apo vetëm me përmasat e globalizimit. Nuk mund të mos llogaritet goditja e rëndë që dha kriza ekonomike e botërore financiare e vitit 2008, që u vlerësua si një lloj depresion i madh, por përmbajtja e pabarazive krijohet e ushqehet nga shkaqe shumë komplekse. Dhe ka realisht një problematikë sot që lidhet me taksat doganore, apo me borxhet e mëdha të akumuluara, me pabarazitë e mëdha sociale brenda vendeve sovrane, por dhe me çekuilibrat e brendshëm në vende konkrete etj.

Pra, ka shumë arsye e faktorë, që duhen vlerësuar, analizuar e korrigjuar apo përsosur e nuk i duhet faturuar gjithçka globalizmit. Në këto kushte, as kundërvënia ndaj globalizimit, as mbyllja nën peshën e vizioneve nacionaliste e sovraniste, as një intensifikim i luftës tregtare, por as edhe një lënie drejt një rënie të lirë, nuk janë zgjidhje efektive. Në këto momente merr rëndësi të veçantë jo lufta tregtare, apo jo thjesht lufta, po para së gjithash merr rëndësi të qëndruarit të bashkuar, për të vlerësuar drejt situatën dhe gjetur rrugën më të përshtatshme të një reagimi efektiv dhe në emër të një stabiliteti cilësor të rendit botëror. Një problem shumë i rëndësishëm aktualisht, që nuk mund të zgjidhet me luftë tregtare, apo me vër tarifa ti e vër kundërtarifa unë, është ruajtja e ekuilibrave ekonomikë, financiarë e socialë, si në nivel rajonal e në nivel botëror, kur janë krijuar hendeqe të thella pabarazie zhvillimi e gropa tepër të mëdha të rrezikshme, me potencial të madh destabilizimi. Po kështu, një problematikë sociale, që përfshin një mprehje të ndjeshme të problemit të papunësisë dhe të thellimit të hendeqeve të pabarazisë sociale, brenda vendeve, por dhe në nivel global, një rritje e ndjeshme e varfërisë, përbëjnë bomba tepër të rrezikshme për stabilitetin, sigurinë e paqen. Brenda kësaj situate komplekse rrezik të madh apo bombë reale me mundësi shpërthimi, përbën problemi i borxhit apo i borxheve, apo mbajtja nën kontroll i tyre. Nuk janë zgjidhje ato lëvizje, siç bëjnë vende të caktuara, që planifikojnë buxhete, me nivele tepër të larta të deficitit, kur realisht kanë nivel të lartë të borxhit. Në këto kushte „lufta tregtare“ edhe pse mendohet si zgjidhje nuk është e tillë për asnjë palë, përkundrazi dëmton rëndë edhe ato ekuilibra që funksionojnë. Po bëhet tepër e mprehtë nevoja e një strategjie komplekse, që të shqyrtojë harmonizimin e problemeve ekonomike, financiare, tregtare, teknologjike, sociale, organizative etj., aq më tepër që ka shqetësime reale për shpërthim të një krize tjetër ekonomike botërore, më e rëndë se ajo e vitit 2008.

Pra, siç shihet, ka një kontradiktë reale në zhvillim, mes dy ekonomive më të mëdha në botë, që përmban rreziqe të mëdha, nëse lufta tregtare nuk ndërpritet. SHBA dhe Kina nevojitet të dialogojnë e jo të tregojnë muskujt e fuqisë. Luftë do të thotë që dikush të fitojë e të mundë tjetrin, por në këtë rast lufta prodhon problematika të rënda për secilin dhe në shkallë botërore. Vërtet modeli kinez i qëndroi mirë tronditjes që shkaktoi kriza botërore e vitit 2008, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk dëmtohet rëndë nga një luftë reale tregtare me SHBA. Modeli kinez është një formë eklektike edhe me elemente të ekonomisë së tregut, edhe me kontroll shtetëror të rreptë edhe me një parti komuniste në udhëheqje të vendit. Ky model përfshin edhe tregun privat, por përfshin edhe mbajtje nga shteti nën kontroll të monedhës së vendit, duke ruajtur pronësinë e kompanive të mëdha, por edhe duke ndërhyrë në vendimet e investimeve të bizneseve private.

Mbështetur në këtë realitet presidenti kinez Xi Ping, evidenton atë që e quan „vlerat kineze“, që sipas tij përfaqëson një opsion të ri për vende që dëshirojnë të përshpejtojnë zhvillimet e tyre, duke ruajtur pavarësinë. Me këtë model funksionues Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë sot, që i ka shtyrë disa të flasin për „paradoksin kinez“. Filozofia nga është udhëhequr Kina ka qenë: zhvillimi është e vetmja e vërtetë. Natyrisht, që zhvillimi është i tillë, por përvojat historike të modeleve eklektike, apo siç ishte modeli komunist, me planifikimin e tij të centralizuar nën drejtimin e shtetit, dëshmojnë se, në periudha afat shkurtra këto modele tregojnë se funksionojnë, por më pas dështojnë dhe sjellin pasoja tepër komplekse, siç u panë dhe në vendet ish-komuniste të lindjes. Nuk mund të mos tërheqin vëmendje sot tezat nacionaliste e sovraniste të mbylljes apo ato që drejtohen kundër globalizmit. Madje disa nisur edhe nga problematika komplekse e sotme, nxitojnë të flasin për atë që e quajnë „miti fals i ekonomisë së tregut“. Në fakt, problemet e evidentuara sot nuk e vënë në pikëpyetje vlerën e modelit të ekonomisë së tregut, me gjithë nevojën e përsosjes së tij të mëtejshme, në gjithë elementët përbërës së tij ekonomikë e socialë. Sa i përket modelit kinez ai shfaqet interesant e funksionues, por që nevojitet kohë më e gjatë për të bërë një vlerësim realist e sa më afër të vërtetës.

Lufta tregtare në proces është një faktor negativ, pavarësisht modelit ekonomik. Ajo është pjesë esenciale e kontradiktës në zhvillim mes SHBA dhe Kinës, por që nuk është e vetmja. Kontradikta mes këtyre dy vendeve është më e pasur. Kina është treguar shumë e kujdesshme me perëndimin dhe sidomos me SHBA, edhe pse përgatitej në proces për një rivalitet me përmbajtje të pasur me të. Tash ndodhemi realisht në një proces të ashpërsimit të këtij rivaliteti, që përfshin një përplasje interesash më komplekse e konkrete në zhvillim. Është fakt, që Kina edhe pse me shumë kujdes ka zhvilluar ambicien e saj të superfuqisë e te zhvillimit të rolit botëror, duke u shfaqur me një identitet të spikatur të saj, por shpesh edhe në një bashkëpunim konkret me Rusinë, përfshi dhe fushën ushtarake. Ajo ka aderuar në organizmin euro aziatik ushtarak të Rusisë CSTO, por ka qenë e kujdesshme në avancimin e objektivave gjeostrategjike të superfuqisë.

Ajo e ka siguruar një rol të saj në Azi, por ka hedhur dhe hapa konkretë të saj edhe për një rol në Paqësor, sidomos edhe me ato ishujt artificialë, tashmë të militarizuar prej saj dhe duke qenë e kujdesshme në zhvillimin e rolit të saj në gadishullin korean, duke shpresuar pse jo edhe në një zvogëlim të rolit të SHBA në të. Kina është kujdesur, si pa u vënë re, të risë praninë e saj në hapësirën europiane me investime konkrete si në infrastrukturë etj. Madje, Kina duket që shpresoi shumë te grindja mes SHBA dhe BE, duke e menduar edhe në një tërheqje të vendeve të BE në krahun e saj, sidomos sa i përket zhvillimeve ekonomike e tregtare. Kina, me sa duket, shpresoi se do ti afronte rreth vetes vendet e BE duke mbajtur parasysh zhvillimet e G7 edhe faktin e vendosjes së tarifave ndaj vendeve europiane për çelikun e aluminin. Duket, që në funksion të avancimit të ambicies së saj të superfuqisë dhe të thellimit të rivalitetit me SHBA, Kina gjykoi të bëjë një demonstrim të muskujve, të saj, jo më vete e jo në hapësirën e Paqësorit, por më larg saj, në Siberi. Me sa duket, si Rusia ashtu dhe Kina e menduan ta demonstrojnë fuqinë ushtarake, në situatën kur vërtet po dukej një çarje e madhe dhe e pakthyeshme e Perëndimit, me grindjen mes SHBA dhe BE, apo në kushtet kur përflitet shpesh për një tërheqje nga SHBA, sa i përket rolit global të saj.

SHBA, nuk mund të mos e ketë vlerësuar qartë sjelljen Kinës dhe afishimet e përbashkëta ushtarake Rusi-Kinë. SHBA edhe pse aleatët e saj në Paqësor kanë shprehur shqetësimet e kundërshtimet e tyre ndaj lëvizjeve të Kinës me ishujt artificialë e militarizimin e tyre, që kështu kanë zgjeruar prezencën e Kinës në hapësirën e Paqësorit, janë treguar të kujdesshëm. Natyrisht, që SHBA ka mbështetur shqetësimet e reagimet e aleatëve të saj në Paqësor, po nuk ka bërë ndonjë demonstrim të fuqisë së saj. Ajo ka bërë lëvizje në funksion të mbajtjes hapur të korridoreve ujore të transportit në hapësirën e Paqësorit. Duket, që SHBA ka menduar të reagojë, pas lëvizjeve të Kinës, përfshi dhe pjesëmarrjen në stërvitjen tepër të madhe në Siberi, bashkë me Rusinë, që ishte një zhvillim i zmadhuar i forcës ushtarake. Kështu, mësohet se një anije ushtarake shkatërruese amerikane ka lundruar drejt ishujve të Kinës në pjesën jugore.

Më pas avionë B-52 të SHBA fluturojnë në një hapësirë, ku Kina e ka shpallur si kufi të saj, por që SHBA e konsideron si kufizim nga Kina të lëvizjes në ujërat strategjikë, ku operojnë disa vende aziatike si Kina, Japonia, Vietnami, Filipinet etj. Është ky një korridor rrugor mjaft i rëndësishëm, ku realizohet një tregti e qarkullim mallrash në nivelin e 5 trilionëve. SHBA e kanë shpjeguar këtë lëvizje të saj, jo si demonstrim të fuqisë ushtarake, por në formën: Ne bëjmë navigim të lirë siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Gjithsesi, ky zhvillim nuk mund të mos tërheqë vëmendjen, aq më tepër, kur është në zhvillim edhe një luftë reale tregtare. Ky zhvillim i kontradiktës, mes SHBA dhe Kinës, shkakton shqetësim sa i përket ruajtjes së ekuilibrave dhe stabilitetit të zhvillimeve rajonale e globale.
Më 7 tetor 2018/GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb