Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha para Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara se OKB duhet të përqafojë një kuptim më të gjerë të paqes dhe sigurisë.

Maas kryesoi një videokonferencë mbi përfshirjen e pandemisë së koronavirusit në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, një ditë pasi Gjermania mori presidencën e Këshillit për korrikun.

“Themeluesit e Kombeve të Bashkuara mund të kenë patur artileri, bomba dhe ushtarë në mendje kur hartuan Kartën. Sot, ne e dimë se një virus mund të jetë më vdekjeprurës, sesa një armë, që një sulm në internet mund të shkaktojë më shumë dëm sesa një ushtar dhe se ndryshimi i klimës kërcënon më shumë njerëz, sesa shumica e armëve konvencionale”, tha ai

Takimi i Këshillit erdhi një ditë pasi ai miratoi një rezolutë që mbështeti thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 23 mars për një armëpushim global, për t’u përqëndruar në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Duke e cilësuar rezolutën shumë të vonuar, Maas theksoi se Këshilli duhet ta zbatojë atë duke punuar për armëpushime specifike për vendet.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb