Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj kreut të Grupit Wagner në Mali, duke akuzuar ushtrinë private ruse se po përpiqet të fsheh përpjekjet e saj për të blerë pajisje ushtarake për përdorim në Ukrainë dhe se punon përmes Malit dhe vendeve të tjera. Në një deklaratë, Departamenti amerikan i Thesarit akuzoi gjithashtu Ivan Aleksandrovich Maslovin, të cilin e përshkroi si kreun e njësive paraushtarake Wagner dhe administratorin kryesor të grupit me bazë në Mali, se punon në koordinim të ngushtë me zyrtarët e qeverisë së Malit për të kryer dislokimin e grupit në Mali.

“Sanksionet e Thesarit kundër përfaqësuesit më të lartë të Grupit Wagner në Mali identifikojnë dhe pengojnë një operativ kyç që mbështet aktivitetet globale të grupit”, tha në një deklaratë Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit për terrorizmin dhe inteligjencën financiare. Masa vjen pasi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha të hënën se kishte tregues se grupi Wagner po përpiqej të blinte sisteme ushtarake nga furnizues të huaj dhe t’i drejtonte ato armë përmes Malit.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, në një konferencë shtypi të mërkurën hodhi poshtë akuzat e SHBA-ve si “mashtrim” dhe i kërkoi Uashingtonit të shqyrtonte efektin e eksporteve të veta ushtarake./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb