Qeveria amerikane mund të zgjerojë numrin e vendeve, udhëtarët e të cilave do të jenë të detyruar të paraqesin prova se janë testuar negativë për COVID-19, krahas atyre që vijnë nga Britania. Lajmi iu konfirmua të mërkurën agjencisë Reuters nga disa burime me dijeni mbi këtë çështje.

Për këtë qëllim drejtuesit e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe agjencive të tjera amerikane mbajtën të mërkurën një telekonferencë me linjat ajrore amerikane.

Duke nisur nga dita e hënë pasagjerët që mbërrijnë në SHBA nga Britania, përfshirë edhe shtetasit amerikanë, janë të detyruar të paraqesin testin për COVID-19, i cili duhet të jetë kryer brenda 72 orësh para nisjes.

Në një deklaratë të CDC-së të mërkurën thuhej se “aktualisht po bëhen përpjekje për zvogëlimin e rrezikut si dhe për të përcaktuar një regjim të testimi sipas një qasje të harmonizuar për udhëtimet ajrore ndërkombëtare”.

Një zëdhënës i Departamentit të Transportit konfirmoi gjithashtu bisedën me drejtuesit e linjave ajrore. Sipas disa burimeve drejtuesit e linjave ajrore u kërkuan përfaqësuesve të agjencive qeveritare që përpara se të zgjerojnë numrin e vendeve, udhëtarët e të cilëve do të jenë të detyruar të paraqesin një test negativ, të vlerësojnë për çdo vend kapacitetet e tyre të testimit apo gatishmërinë për të alokuar teste për të lehtësuar udhëtimin ndërkombëtar.

Zyrtarët thanë se Shtëpia e Bardhë mund të marrë një vendim mbi këtë çështje duke filluar nga java e ardhshme, por nuk është e qartë se kur do të hyjnë në fuqi udhëzimet e reja.

Të martën ndihmës sekretari amerikan për Shëndetin Brett Giroir tha se kërkesa për testim për koronavirus, aktualisht vetëm për udhëtarët nga Britania, mund të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Udhëzimi u nxorr mes shqetësimeve për shfaqjen në Britani të një varianti të ri të koronavirusit, i cili transmetohet më shpejt. Zoti Giroir vuri në dukje të martën se kufizimet kanë çuar në një rënie nga 90 deri në 95 për qind të udhëtimeve nga Britania./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: