Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), John Kirby deklaroi se SHBA-ja ka ndërprerë mbështetjen e saj në fushën e inteligjencës dhe atë taktike për operacionet e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite në Jemen.

Pentagoni ndau detajet lidhur me çështjen pasi Washingtoni njoftoi se ka përfunduar mbështetjen e dhënë për operacionet e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Jemen.

Zëdhënësi Kirby në një konferencë ditore për media tha se “Me udhëzimin e dhënë dje nga presidenti, Departamenti i Mbrojtjes ndërpreu të gjithë mbështetjen jo-luftarake, përfshirë disa mbështetje të inteligjencës, konsulencës dhe mbështetjes taktike”.

“Arabia Saudite ende është partnere e SHBA-së por udhëzimi i Bidenit është në lidhje me operacionet në Jemen”, tha Kirby i cili bëri të ditur se vazhdon procesi i rishikimit të mbështetjes që SHBA-ja jep për Arabinë Saudite.

Administrata e Bidenit po ashtu edhe më parë pezulloi shitjet e armatimeve ndaj Arabisë Saudite me arsyetimin se i përdor në Jemen.

“Nuk ka ndryshuar pozicioni për çështjen e S-400”

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me blerjen e sistemit S-400 nga Turqia, Kirby tha se prej një kohe të gjatë Turqia është anëtare me vlerë e NATO-s. Ai mbrojti idenë se blerja e sistemit të mbrojtjes S-400 nga Rusia nuk është në përputhje me angazhimin e saj ndaj SHBA-së dhe NATO-s.

“Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. S-400 nuk përputhet me F-35 dhe pjesëmarrja e Turqisë në këtë program (F-35) është pezulluar. I bëjmë thirrje Turqisë të heqë dorë nga sistemet S-400. Në 10 vitet e fundit Turqisë i janë njohur shumë herë mundësi nga SHBA-ja për blerjen e sistemeve Patriot por ata preferuan të blejnë S-400 e cila i siguron Rusisë të ardhura dhe ndikim”, tha Kirby.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka filluar shqyrtimin e situatës ushtarake globale të vendit, rikujtoi Kirby i cili shtoi se këtu përfshihen situatat e bazave të përhershme të SHBA-së jashtë vendit, numri i ushtarëve atje dhe struktura e forcave.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb