Klinikat e abortit kanë nisur të mbyllen në disa shtete amerikane, pas vendimit të Gjykatës Supreme të premten, i cili ua merr grave të drejtën për një procedurë të tillë.

Rreth gjysma e shteteve amerikane pritet që të prezantojnë kufizime të reja apo ndalesa, pas vendimit të gjykatës për të përmbysur vendimin e marrë 50 vjet më parë për abortin, të njohur si Roe v Wade.

Trembëdhjetë shtete veçse kanë ndaluar abortin me automatizëm. Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përshkruar vendimin si “gabim tragjik”.

Menjëherë pas vendimit kanë nisur protesta në rajone të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Në Feniks të Arizonas, policia ka hedhur gaz lotsjellës, pasi protestuesit që kanë marshuar për të drejtën e abortit, kanë trokitur nëpër dyert dhe dritaret e institucioneve shtetërore.

Në Los Angeles, protestuesit kanë bllokuar për pak kohë trafikun në autostradë.

Një klinikë e abortit në Arkansas – që ka ndaluar menjëherë abortin – ka mbyllur dyert për pacientët, pas vendimit të publikuar nga gjykata.

Stafi i klinikës ka telefonuar gratë për t’iu treguar se takimet janë anuluar.

“Pavarësisht sa shumë përgatitemi për lajmet e këqija, kur ato vijnë, na godasin rëndë. Telefonimi i gjithë këto pacienteve për t’iu treguar që vendimi për abortin është përmbysur, është fatkeqësi”, ka thënë infermierja Ashli Hunt, për transmetuesin britanik, BBC.

Edhe në Nju Orllins të Luizianas – një tjetër shtet që ka ndaluar menjëherë abortin – një prej tri qendrave për abort është mbyllur dhe stafi ka shkuar në shtëpi.

Jashtë klinikës, një vullnetare e grave që kanë kryer abort, i ka thënë BBC-së, se gratë e pasura ende mund të kenë qasje në aborte në shtetet tjera, mirëpo “gratë e varfra do të përballen me procedura ilegale”.

Ndërkohë një protestues kundër abortit, prifti protestant, Bill Shankes, ka thënë se e premtja për të është “ditë feste”.

Vendimi i Gjykatës Supreme nënkupton se rreth 36 milionë gra në moshë riprodhimi do të humbin qasjen në abort nëpër shtetet e tyre, sipas një hulumtimi të kryer nga organizata për kujdes shëndetësor, Planned Parenthood, e cila ka ndihmuar për aborte.

Vendimi kundër abortit veçse është marrë në Kentaki, Luiziana, Arkansas, Dakotan Jugore, Misuri, Okllahama dhe Allabama.
Ndalesat në Misisipi dhe Dakotan Veriore do të zbatohen pasi prokurorët e përgjithshëm të miratojnë vendimin.
Ndalesa në Uajoming do të nisë së zbatuari pas pesë ditësh, ndërsa ajo në Utah duhet të certifikohet nga një këshill legjislativ.
Ndalesat në Ajdaho, Tenesi dhe Teksas do të zbatohen brenda 30 ditësh.
Vendimi kundër abortit është pranuar me gëzim nga personat që kanë qenë kundër kësaj procedure, të cilët kanë dalë jashtë ndërtesës së Gjykatës Supreme në Uashington për të festuar.

Mirëpo protestat kundër vendimit janë mbajtur në më shumë se 50 shtete në SHBA.

Ndonëse kjo çështje krijon ndasi në SHBA, një hulumtim i kryer së fundi nga qendra kërkimore Pew, ka gjetur se 61 për qind e të rriturve kanë thënë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në shumicën e rasteve apo vazhdimisht, derisa 37 për qind e respodentëve kanë thënë se aborti duhet të jetë joligjor në shumicën e rasteve apo vazhdimisht.

Vendimi i së premtes përbën përmbysje të vendimit të marrë nga vetë Gjykata Supreme – një veprim jashtëzakonisht i rrallë – dhe pritet të nxisë beteja politike që mund të përçajnë SHBA-në.

Guvernatorët e shteteve si Kalifornia, Uashington dhe Oregon janë zotuar se do të mbrojnë pacientet që udhëtojnë nga rajonet tjera për të kryer abort.

Në shtetet ky opinionet për abort janë për dhe kundër – sikurse në Pensilvania, Miçigan dhe Uiskonsin – ligjshmëria e procedurës do të vendoset sa herë të ketë zgjedhje.

Nëpër disa shtete edhe mund të ketë beteja ligjore nëse gratë mund të shkojnë jashtë një shteti për të kryer aborte apo për të porositur ilaçe për abort përmes shërbimeve online.

Si ishte marrë vendimi?
Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër.

Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’iu dhënë fund shtatzënive.

Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë, mirëpo e ka lejuar atë procedurë në disa raste edhe në tremujorin e dytë.

Megjithatë në dekadat në vazhdim, vendimet kundër abortit kanë nisur të zbatohen me raste në dhjetëra shtete.

Tre gjyqtarët që nuk janë pajtuar me vendimin e shumicës në Gjykatën Supreme – Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan – kanë thënë se janë të mërzitur rreth vendimit edhe për gjykatën si institucion, por më shumë për “miliona gra amerikane që kanë humbur një mbrojtje themelore kushtetuese”.

Përmbysja e këtij vendimi ka rritur shqetësimet për marrje të vendimeve të ngjashme edhe për të drejta tjera.

Gjykatësi Clarence Thomas, ka thënë se “në rastet e ardhshme, ne duhet të rishqyrtojmë të gjithë precedentët thelbësorë të procesit të rregullt ligjor të kësaj Gjykate, duke përfshirë Griswold, Lawrence dhe Obergefell” – duke iu referuar tri vendimeve historike të së kaluarës mbi të drejtën e kontracepsionit, shfuqizimi i ligjeve kundër sodomisë dhe legalizimi i martesave të personave të gjinisë së njëjtë./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: