Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar një propozim rus për ruajtjen e Traktatit për Armë Bërthamore, me arsyetimin se ky pakt nuk mund të verifikohet në mënyrë adekuate.

Këto komente të bëra më 16 janar nga Nënsekretarja amerikane për Kontrollin e Armëve dhe Sigurisë Ndërkombëtare, Andrea Thompson, i kanë hapur rrugën Uashingtonit për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje, e nënshkruar në kohën e Luftës së Ftohtë.

Duke folur pas takimit në Gjenevë, me zyrtarë rusë dhe amerikanë, Thompson ka thënë se Moska ka refuzuar që të lejojë vëzhgim të duhur të sistemeve të reja raketore të Rusisë, dhe të cilat për Uashingtonin përbëjnë shkelje të traktatit.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të arrijmë një gjuhë të përbashkët me Rusinë”, ka thënë Thompson pasi është takuar me zyrtarë të ministrisë së Jashtme të Rusisë. “Bazuar në diskutimet e djeshme dhe retorikën e ditës së sotme, ne nuk shohim shenja se Rusia do të zgjedhë pajtueshmërinë”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Ndërkohë në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar SHBA-në për shkatërrim të paktit për sistemet e armëve, pasi sipas tij Moska është e gatshme që të ruajë këtë marrëveshje.

Ky traktat ndalon raketa balistike dhe ato të nisura nga toka me kapacitet prej 500 deri në 5,500 kilometra. Sipas këtij pakti, pothuajse 2,700 raketa janë elimunuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Evropë.

Rusia ka paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara braktisin paktin dhe zhvillojnë armë të tilla në Evropë, Moska do të përgjigjet njëjtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb