Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar së shpejti sanksione shtesë ndaj Iranit, tha një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, pasi Teherani njoftoi se do të reduktojë disa kufizime mbi programin e tij bërthamor.

Tim Morrison, asistent special i kryetarit dhe drejtor i lartë për armë të shkatërrimit në masë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha në një konferencë shtypi se Uashingtoni “nuk ka përfunduar”, me futjen e sanksioneve kundër Iranit.

“Së shpejti prisni më shumë sanksione. Dhe kjo shumë shpejt”, porositi Morrison.

Presidenti iranian Hassan Rouhani paralajmëroi më herët se Irani do të pushojë t’iu përmbahet disa pjesë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe i dha një afat prej 60 ditësh nënshkruesve të tjerë të marrëveshjes për të përmbushur detyrimet e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për sektorin bankar dhe të naftës.

Ai paralajmëroi se Irani do të vazhdojë me nivele të larta të pasurimit të uraniumit nëse fuqitë botërore nuk i mbajnë premtimet e dhëna në kontekstin e marrëveshjes bërthamore e arritur në vitin 2015.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: