Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka deklaruar se vendet perëndimore duhet të jenë “shumë të kujdesshëm” për natyrën e saktë të investimeve kineze në ekonomitë e tyre.

Në një intervistë për BBC, Blinken i pyetur nëse vendet duhet të tërhiqen nga investimet kineze, tha se ata nuk po përpiqen të kontrollojnë Kinën dhe ta “ndalin atë prapa”.

“Ne e pranojmë se vendet kanë marrëdhënie me Kinën, kanë interesa me Kinën. Ne nuk përpiqemi të themi duhet të zgjidhni midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i shtetit tha se Washingtoni është në favor të mbështetjes së “të ashtuquajturit sistem ndërkombëtar”, që siç theksoi ai është i bazuar “në rregulla që ne dhe ndër të tjera Mbretëria e Bashkuar kemi investuar shumë me gjenerata dhe kjo ka qenë një përfitim për ne dhe vendet përreth botës”.

Ai argumentoi se SHBA-ja nuk do të pranojë kur “dikush” minon sistemin duke mos luajtur sipas rregullave, sistem të cilin e quajti “garantues më të mirë të paqes, progresit dhe stabilitetit që bota ka parë”.

I pyetur nëse është e mundur të mbështetet sistemi përderisa lejon Kinën të realizojë investime të mëdha në ekonomitë perëndimore, Blinken u kërkoi vendeve të shohin “me shumë kujdes” në zonat e investime.

“Mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me atë se saktësisht cila është natyra e këtij investimi. Nëse po investon në industri strategjike, asete strategjike, kjo është diçka që vendet duhet ta shohin me shumë kujdes”, tha Blinken.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb