Presidenti Joe Biden përshëndeti të enjten armëpushimin që pritet t’i jap fund luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, duke thënë se ai sheh një “mundësi të mirëfilltë” drejt qëllimit më të madh për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Presidenti Biden e përshëndeti kontributin e qeverisë egjiptiane, e cila luajti një rol vendimtar në ndërmjetësimin e armëpushimit dhe tha se ai dhe ndihmësit e lartë të Shtëpisë së Bardhë ishin përfshirë intensivisht në një përpjekje “orë pas ore” për të ndalur gjakderdhjen.

“Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë”, tha Presidenti Biden. “Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi.”

Presidenti bëri një deklaratë për mediat në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pasi Izraeli dhe Hamasi njoftuan se armëpushimi do të hynte në fuqi në 2 orën të mëngjesit të së premtes, duke i dhënë fund një lufte 11-ditore që shkatërroi një pjesë të gjerë të Rripit të Gazës dhe ndali shumicën e aktiviteteve në pjesën më të madhe të Izraelit. Luftimet shkaktuan të paktën 227 të vrasë në Gaza dhe 12 të tjerë në Izrael. Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli pranoi propozimin egjiptian pas një takimi natën vonë të kabinetit të tij të sigurisë.

Hamasi, pak më vonë, bëri të njejtën gjë dhe tha se do të nderonte marrëveshjen.

Përpjekjet diplomatike për një armëpushim u shtuan të enjten pas thirrjes që Presidenti Joe Biden i bëri një ditë më parë Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ulur tensionet dhe pas deklaratave të zyrtarit politik të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, i cili tha se besonte se armëpushimi do të arrihej “brenda një ose dy ditësh”./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: