Polonia dhe Shtetet e Bashkuara ndodhen pranë një marrëveshjeje për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në shtetin e Evropës Qendrore. Marrëveshja do të përfshijë gjithashtu rritjen e numrit të personelit si dhe ndërtim të infrastrukturës. Lajmi u njoftua nga agjencia Reuters që iu referua burimeve zyrtare.

Megjithatë ka ende mosmarrëveshje se kush do të paguajë për ndërtimin e infrastrukturës së re dhe sa kohë do të zgjasë angazhimi amerikan. Zyrtarët polakë dhe amerikanë shpresojnë që marrëveshja, e cila u propozua fillimisht nga Varshava në muajin shtator, do të miratohet gjatë vizitës së planifikuar të Presidentit Andrzej Duda në Uashington në muajin qershor. Marrëveshja do të forconte përpjekjet transatlantike për të penguar Rusinë, një prioritet që Perëndimi beson se është bërë edhe më urgjent që kur Moska aneksoi Krimenë në 2014, prej fqinjit në lindje të Polonisë, Ukrainës.

Pas muajsh bisedimesh të një niveli të ulët, zyrtarët thonë se marrëveshja nuk do t’i ngjajë kërkesës fillestare të zotit Duda, për një bazë të përhershme që ai e quajti “fortesa Trump”.

“Nuk do të ketë fortesë Trump”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Reuters. Në vend të kësaj, dy zyrtarë amerikanë thanë se Uashingtoni dhe Varshava janë duke mbyllur një marrëveshje që do të rriste numrin e trupave jo të përhershme amerikane në vend nga 1.000 dhe 1,500.

Në Poloni ndodhen mesatarisht 4,500 trupa amerikane që vijnë me rotacion në kuadër të NATO-s. Në vend të një baze të re amerikane, Shtetet e Bashkuara ose do të përmirësonin ose do të ndërtonin objekte të reja në bazat ekzistuese polake, thanë zyrtarët amerikanë dhe polakë. Zyrtarët amerikanë shtuan gjithashtu se ka diskutime rreth ndërtimit të një infrastrukture ajrore për dronë të paarmatosur amerikanë. Zyrtarët polakë konfirmuan se nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit të infrastrukturës ajrore për këtë qëllim./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb