Ne hedhim poshtë mbështetjen e talebanëve, të cilët duhet ta dinë mirë se presidenti Trump do të mbrojë gjithmonë interesat amerikane me çdo kusht, deklaroi Tim Murtaugh, pjesë e stafit elektoral të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ndërkohë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha se shpresonte që presidenti amerikan, Donald Trump t’i fitonte zgjedhjet e radhës presidenciale në SHBA.

“Shpresojmë që Trump të fitojë zgjedhjet dhe t’i japë fund pranisë ushtarake amerikane në Afganistan”, tha Mujahid në një prononcim përmes telefonit për kanalin amerikan CBC.

Trump, i cili u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasi u infektua me COVID-19 dhe u trajtua në spital, bëri një deklaratë në Twitter dy ditë më parë në lidhje me situatën e fundit në Afganistan.

“Ushtarët tanë të paktë të guximshëm që janë në detyrë në Afganistan duhet të jenë në shtëpi deri në Krishtlindje”, tha ai.

Në një konferencë shtypi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, më 10 shtator, Trump kishte paralajmëruar uljen e numrit të trupave në Afganistan në katër mijë dhe në Irak në dy mijë “brenda një kohe të shkurtër”.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb