Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se SHBA mbështesin krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht agresionin rus ndaj Ukrainës.

“Ne besojmë se kjo Gjykatë Speciale duhet të jetë e rrënjosur në sistemin e brendshëm gjyqësor të Ukrainës, pasi kjo do të ofrojë mundësinë e krijimit të një Tribunali të ri dhe do të maksimizojë shanset tona për të arritur llogaridhënie kuptimplote”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndërkohë, ambasadorja e përgjithshme e SHBA-së për drejtësinë penale globale, Beth Van Schaak njoftoi gjithashtu mbështetjen e Uashingtonit për një gjykatë të tillë.

“Në këtë moment kritik të historisë, kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e një tribunali të ndërkombëtarizuar dedikuar ndjekjes penale të krimit të agresionit kundër Ukrainës”, tha ajo, ndërsa shtoi se gjykata mund të vendoset edhe diku tjetër në Evropë, të paktën në fillim, me qëllim sipas saj që të përforcojë orientimin e dëshiruar evropian të Ukrainës.

Ukraina, BE dhe Holanda kanë mbështetur publikisht idenë e një gjykate speciale.

Rusia, e cila i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak”, ka mohuar akuzat për krime lufte duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve ukrainas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb