SHBA-Zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara i kanë publikuar dokumentet, për të cilat thonë se janë gjetur gjatë ndërhyrjes në kompleksin në Pakistan, ku forcat amerikane e patën vrarë liderin e al-Kaidës, Osama bin Laden, në vitin 2011.

Zyra e drejtorit të inteligjencës kombëtare tha se lirimi i dokumenteve u bë pas shqyrtimit “rigoroz” nga agjencitë e qeverisë amerikane dhe se ky veprim është “në linjë me thirrjen e presidentit për transparencë të shtuar në përputhje me direktivat e sigurisë kombëtare”.

Më tej, ai ka theksuar se me Aktin për Autorizim të Inteligjencës nga viti 2014, kërkohej rishqyrtim i dokumenteve për publikim.

Sipas këtyre dokumenteve të reja të publikuara, Bin Ladeni kishte shprehur përkushtim me mbështetësit e vet, për të mbetur i fokusuar në sulmet kundër Shteteve të Bashkuara, e jo që të tërhiqet në luftime të brendshme myslimane.

Kur ishte vrarë nga komandot e marinës së Shteteve të Bashkuara, Osma bin Ladeni planifikonte fushatë për festimin e 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

(d.d/Rel/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb