Qyteti i Nju Jorkut, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit të ri në SHBA dhe një nga vendet më të prekura në botë, nisi sot rihapjen graduale të tij, pas një mbylljeje disamujore.

“Është dita kur fillojmë të çlirohemi nga kjo sëmundje, dita kur nis rihapja jonë në këtë qytet”, tha kryebashkiaku i qytetit, Bill de Blasio, në një konferencë për shtyp.

Kryebashkiaku njujorkez, gjithashtu, paralajmëroi njerëzit që të mos e ulnin vigjilencën për të mos rrezikuar një rikthim të virusit.

Rreth 400 000 punëtorë pritet të kthehen në punë gjatë fazës së parë të planit të rihapjes me katër faza të Nju Jorkut.

Sektori i ndërtimit, prodhimi dhe shitja me shumicë, gjithashtu, mund të rifillojnë punën me masa paraprake.

De Blasio tha se pret që qyteti të hyjë në fazën e dytë të rihapjes në fillim të korrikut.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb