Rusia reagoi ashpër të shtunën ndaj komentit të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken se Kazakistani mund ta ketë të vështirë t’i largojë trupat ruse.

Ministria e Jashtme ruse tha se në vend të që bëjë deklarata të tilla, zoti Blinken duhet të reflektojë për ndërhyrjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.

Zoti Blinken sfidoi të premten argumentimin e Rusisë për dërgimin e forcave të saj në Kazakistan, pas ditësh trazirash të dhunshme në vendin e Azisë Qendrore.

“Historia na meson se kur rusët hyjnë në një vend, ndonjëherë është shumë e vështirë t’i detyrosh të largohen,” tha zoti Blinken.

Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti “fyes” komentin e tij dhe tha se Uashingtoni duhet të analizojë historinë e vet të ndërhyrjeve në vende si Vietnami dhe Iraku.

Ministria tha se dërgimi i trupave në Kazakistan ishte një përgjigje legjitime ndaj kërkesës së Kazakistanit për mbështetje nga Organizata e Traktatit për Sigurinë Kolektive, një aleancë e shteteve ish-sovjetike që përfshin Rusinë.

Ndërhyrja në Kazakistan vjen në një kohë tensionesh të larta në marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin, ndërsa të dy vendet përgatiten për bisedime mbi krizën e Ukrainës që fillojnë të hënën.

Moska ka dislokuar një numër të madh trupash pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon të ketë në plan një ndërhyrje ushtarake.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb