SHBA ka vendosur sanksione të reja ndaj Sirisë në përvjetorin e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të miratuar pesë vite më parë.

Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e SHBA-ve shtoi dy individë, nëntë subjekte afariste dhe Bankën Qendrore të Sirisë në Listën e Posaçme të Shtetasve dhe Personave të Bllokuar.

“Përmes këtij veprimi Departmenti i Thesarit synon të dekurajojë investimet e ardhshme në zonat e kontrolluara nga qeveria e Sirisë, të detyrojë regjimin t’u japë fund mizorive të tij kundër popullit sirian dhe të detyrojë angazhimin e tij në procesin e lehtësuar të OKB-së në përputhje me Rezolutën 2254 të KS-OKB-së”, njoftoi agjencia OFAC.

Departmenti i Shtetit po ashtu sanksionoi Asma al-Assad, gruan e Bashar al-Assad, për “pengimin e përpjekjeve për të promovuar një zgjidhje politike të konfliktit sirian”.

“Përveç kësaj, ne jemi duke sanksionuar disa anëtarë të familjes së ngushtë të Asma al-Assad, përfshirë Fawaz Akhras, Sahar Otri Akhras, Firas al-Akhras dhe Eyad Akhras”, tha në njoftim sekretar i shtetit, Mike Pompeo.

Midis të sanksionuarve janë edhe Lina al-Kinayeh, një nga këshilltaret kryesore të al-Assad, si dhe burri i saj, parlamentari sirian Mohammed Masouti.

“SHBA do të vazhdojë të bëjë presion ndaj regjimit të Assad-it dhe mundësuesve të tij, me qëllim për t’i parandaluar ata nga grumbullimi i burimeve për të përjetësuar mizoritë e tyre”, tha Pompeo.

Siria është shkatërruar nga një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Assad-it u përplas me protestat pro-demokratike. Sipas OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë janë zhvendosur.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb