Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi të mërkurën një marrëveshje për të sjellë vaksinat Covid-19 në zonat e konfliktit, ku janë imunizuar një numër i vogël njerëzish.

Në një takim virtual ministror mbi pandeminë, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kishin punuar me Covax, aleancën ndërkombëtare të vaksinave për të mbështetur kombet në zhvillim, për ofrimin e vaksinave me një dozë të Johnson & Johnson në zonat e konfliktit dhe shqetësimeve të tjera humanitare.

“Ne jemi të etur që njerëzit në këto rrethana të vështira të marrin mbrojtje kundër Covid-19 sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Blinken.

“Ne e dimë urgjencën e kësaj lufte. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar pandeminë. Tani, ne duhet ta bëjmë atë,” tha ai.

Gavi, partneriteti publik-privat që bashkë-drejton Covax, tha se Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje për të hequr dorë nga kërkesat e dëmshpërblimit për vaksinat Johnson & Johnson.

Prodhuesit u kanë kërkuar qeverive të paguajnë çdo gjobë ligjore për incidentet nga vaksinimi, duke krijuar pengesa për vendet e varfra dhe veçanërisht për grupet e ndihmës që veprojnë në zonat e konfliktit.

“Ne mirëpresim ngrohtësisht rolin e qeverisë amerikane për të ndihmuar ndërmjetësimin e marrëveshjes midis J&J dhe Covax,” tha një zëdhënës i Gavi në Gjenevë.

Zëdhënësi u bëri thirrje prodhuesve të tjerë të vaksinave që t’i bashkohen Johnson & Johnson dhe Sinovac të Kinës në heqjen e kërkesave të dëmshpërblimit për agjencitë humanitare.

Detajet se sa doza do të shpërndaheshin nuk u njoftuan menjëherë.

Më shumë se katër miliardë vaksina janë administruar në mbarë botën, sipas një raporti të AFP-së bazuar në burime zyrtare.

Por shumica dërrmuese kanë shkuar në vendet e pasura, si dhe në Kinë dhe Indi me shkallë minimale të vaksinimit në Afrikën Sub-Sahariane.

Presidenti Joe Biden në shtator njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë më shumë se një miliard doza në mbarë botën për të ndihmuar në mposhtjen e pandemisë me qëllim vaksinimin e 70 për qind të popullsisë globale brenda një viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb